Garat e kampionatit evropian të peshëngritjes për të rinj e të reja kanë nisur në mëngjesin e sotëm me peshën 56 kilogram, bateria B për meshkuj.

Nuk merrte pjesë asnjë sportist nga Shqipëria, por ka patur përfaqësim nga Kosova me peshëngritësin 16-vjeçar, Ardian Murati, i cili nuk arriti të kualifikohej pasi dështoi në peshën 35 kg.

Në garat e para merrnin pjesë peshëngritës nga gjashtë shtete të tjera veç Kosovës. Hungaria, Lituania, Gjermania, Spanja, Italia dhe Bullgaria.

Peshëngritësi bullgar Ivan Chukov ka bërë më të mirën kur ka ngritur 116 kg, por ka dështuar në provën e fundit me 119 kilogramë.

I dyti në baterinë B është renditur spanjolli Hernandes Acora me 111 kg, ndërsa i treti italiani, Alessandro Bosco me 110 kg.

Ky kampionat ku marrin pjesë 17 sportistë shqiptarë femra e meshkuj do të jetë i fundit për të rinj ku merr pjesë Gerti Trasha.

Peshëngritësi nga Elbasani, i cili nuk arriti të merrte rezultate në olimpiadën e Pekinit është deri tani i vetmi kampion Evrope për kategorinë e të rinjve.

Gerti Trasha: “Ky është një synim akoma më i madh për mua sepse është gara e fundit dhe dua me një fjalë t’i shtoj CV-së time, t’i shtoj edhe tre medalje që janë sigurisht medalje të arit. Kam qenë mirë në palestër, kam qenë shumë mirë me gjendjen fizike. Kjo më ka bërë të ndihem mirë dhe shpresojmë tani që të hip në podium në vendin e parë”.

Gerti trasha do të ketë të mërkurën garën e tij të parë./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe