Kundërshtarët e kryeministrit Fatos Nano brenda partisë nisën në Divjakë zyrtarisht Lëvizjen Socialiste për Integrim e cila synon, sipas ish-kryeministrit Ilir Meta zhbllokimin e reformave dhe integrimin e socialistëve në rrugë institucionale. Platforma i drejtohet socialistëve të mashtruar nga lidershipi Nano, elektoratit të zhgënjyer nga Partia Socialiste, forcave të majta që janë për vazhdimin e reformave, por edhe strukturave të uzurpuara në parti, tha Ilir Meta. Ish-kryeministri quan fajtor kryetarin Fatos Nano për humbjen e bashkive kryesore gjatë zgjedhjeve lokale.

Ilir Meta: “Sot Sarandën e ka kryetari i Partisë Demokratike, sepse nuk u respektua vullneti i strukturave të partisë, sepse nuk u përfaqësua opinioni dhe mendimi i tyre dhe i qytetarëve atje, por u përpoq për t’u imponuar një njeri për interesat e tyre dhe jo të Partisë Socialiste. E njëjta gjë ndodhi në Korçë, e njëjta gjë ka ndodhur dhe në shumë zona të tjera të vendit, sepse u injorua vullneti i socialistëve të thjeshtë. Ata thonë se nuk kemi krizë legjitimiteti dhe përfaqësimi. Atëhere unë mund t’u jap një shembull atyre, një lidership, i cili humbet 180 mijë vota siç i humbi në zgjedhjet vendore të vitit 2003, për një vit e gjysëm na marrka 80 e ca përqind të Kongresit të Partisë. Kjo tregon qartë që këtu ka një problem mjaft serioz të legjitimitetit dhe përfaqësimit. Në qoftë se ky lidership do kishte marrë 70% të votave të shqiptarëve në zgjedhjet e tetorit, atëhere këta mund të merrnin dhe 90% të votave të kongresit, sepse ajo do të provonte që ky lidership ka një mbështetje popullore. Unë nuk kam ndërmend të merrem me ato që ka thënë dje zoti Duka në konferencën nepotiko-familjare të Partisë Socialiste të Durrësit, por të drejtosh një pulari është një punë shumë e nderuar, është një punë shumë e vlerësuar, ashtu si çdo punë tjetër, por kjo nuk do të thotë se e ke vizionin dhe ke kapacitetet e duhura për të drejtuar bujqësinë.”

Kjo lëvizje synon largimin e makthit Nano-Berisha, sipas deputetëve të tjerë që e shoqëronin ish- kryeministrin Meta në këtë takim.

“Ai fliste me emra dhe të gjithë emrat e përveçëm të qeverisë që ai kish përzgjedhur i ktheu në emra fyers dhe për çudinë e të gjithëve ndodhën kur ndodhi rrokopuja e madhe dhe ai erdhi përsëri në pushtet, mori po këta ministra përsëri.”

Dritan Prifiti: “Çfarë logjike është kjo?! Ne të kërkojmë demokraci dhe ata të kërkojnë përjashtim! Çfarë logjike është kjo; ne kërkojmë bashkim, kurse Anastas Angjeli thotë mallkim. Mallkim… E keni vënë re, megjithëse nuk e lexoni, por po u them unë që gazeta e Partisë Socialiste, mua deputetin e kësaj partie, shpeshherë më ka ofenduar si një myzeqar dhe si një lal frikacak.”

Spartak Braho: “Atje ishte ministri i Bujqësisë, kryetari i Bashkisë, janë kunetër, Fatos Nano është kumbari i tyre. Nuk jemi as me një të ashtuquajtur eurosocialist, por me nivelin e një infermieri i cili ka për moral vetëm moralin e tortës së prishur e të çorbës së prishur.”

“Kjo është dita e parë kur ne shfaqemi, flasim, mbështesim një platformë e cila mendoj se do të jetë platforma e së ardhmes, e cila mendoj se do t’i heqë përfundimisht Shqipërisë makthin e madh Nano- Berisha.”

Gjatë takimit me banorët e Divjakës, Meta theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim është e hapur për të gjithë dhe, ndryshe nga Partia Socialiste, në të pranohen kundërshtimet.

Ilir Meta: “Të bindim njëri-tjetrin, ndoshta jemi ne në rrugë të gabuar, por neve nuk na bindin dot me fërshëllima.” /tvklan.al