Emisioni “Stop” ishte në Vlorë ku qytetari Ferdinant Shehaj tregon se ka hapur një çerdhe në Janar të vitit 2024.

Në çerdhen e tij ka 25 fëmijë të moshës 0-3 vjeç. Ferdinanti thotë, se po përpiqet të licencojë çerdhen e tij dhe nuk po gjen institucionin e duhur.

“Duke qenë dashamirës për fëmijë, duke patur ambientet funksionale menduam që është domosdoshmëri për qytetin. Mendojmë që kemi plotësuar të gjitha kushtet dhe kemi filluar të paguajmë të gjitha taksat bashkiake, por nuk plotësohemi dot me një licencë”, tha ai.

Është sorollatur pa zgjidhje dhe ka frikë se mos përballet me penalitete.

Në bashkinë e qytetit i thanë se duhet të drejtohet në Ministrinë e Arsimit, pasi Bashkia thjesht monitoron.

Qytetari: Kam një çerdhe private. Kam ardhur dhe një herë tjetër dhe dua të pajisem me licencë!

Punonjësja: E kanë shumë të gabuar, sepse nuk ka bazë ligjore të pajisen me licencë nga bashkia. Duhet të vesh tek Ministria e Arsimit!

Qytetari: Ministria e Arsimit thotë, që nuk…

Punonjësja: Jo, jo! Më jep bazën ligjore thuaji, që më çon tek bashkia! Në bashki nuk merret. Shko tek drejtoria arsimore aty! Bashkia nuk jep. Bashkia është monitoruese e çerdheve dhe e kopshteve.

Qytetari: Thotë që në 3 vjeç e lart japim licenca, por ne jemi 0-3 vjeç.

Punonjësja: Nuk ka bazë ligjore për atë.

Qytetari: S’keni bazë ligjore?

Punonjësja: Jo!

Në Zyrën Vendore Arsimore Vlorë-Himarë të drejtojnë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Gazetarja: Aplikohet këtu për çerdhe? Për licencë çerdheje?

Punonjësja: Çerdhet i ka Ministria e Shëndetësisë.

Gazetarja: Ministria e Shëndetësisë. Faleminderit!

Ndërsa Shëndetësia të tregon derën e Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Ministrisë së Arsimit. Përgjigja që mori nga QKB është se licenca për çerdhe nuk lëshohet nga ky institucion.

Qytetarja: Ju lutem, mund të më informoni, si mund të veproj për licensimin e një çerdheje private?

Punonjësja: S’kemi lidhje fare me çerdhet.

Qytetarja: Po zyra arsimore më drejtoi tek juve.

Punonjësja: Tek Ministria e Shëndetësisë? E ke marrë licencën? Tek QKB, QKL. Ne nuk kemi lidhje. Shko tek Arsimi njëherë!

Në Ministrinë e Arsimit, Ferdinantit i thanë, se lëshojnë licenca për kopshte për fëmijë 3-6 vjeç.

Qytetarja: Dua të informohem në lidhje me licencimin e një çerdheje private!

Punonjësja: Çerdhe? Po nuk i ka çerdhet Ministria, i ka bashkia.

Qytetarja: Po unë tek Bashkia kam qenë dhe s’kam marrë përgjigje.

Punonjësja: S’ka Ministria licenca çerdheje, ka kopshtet. S’ka dhënë asnjëherë Ministria e Arsimit licenca çerdheje.

Nga Ministria e Arsimit qytetarin e çuan sërish në bashki, duke e kthyer në pikën zero, pa gjetur zgjidhje./tvklan.al