Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën e mesme “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës. Mësuesja M.P është goditur me një karrige nga një nxënës brenda mjediseve të shkollës.

Mësuesja është dërguar me ambulancë në spitalin e Lezhës dhe mësohet se ka dëmtuar krahun nga goditja me karrige.

Ndërkohë në shkollë kanë mbërritur forcat e policisë të cilët kanë bërë të mundur shoqërimin në komisariatin e Lezhës të nxënësit të vitit të dytë, i cili goditi mësuesen. Më vonë policia njoftoi se e arrestoi të miturin.

“Në vijim të informacionit të dhënë paraditen e sotme, sipas të cilit në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar kishte goditur me send të fortë (karrige), mësuesen M. P., ju informojmë se: Në praninë e psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin e shtetasit G. P., 16 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës””, njoftoi policia.

Është e paqartë përse nxënësi ka goditur mësuesen me karrige.

Mësimi ditën e sotme është bojkotuar nga mësuesit për shkak të kësaj ngjarje të rëndë ndërsa ditën e nesërme pritet që të zhvillohet një protestë nga mësuesit lidhur me këtë situatë të vështirë nga sjellja e nxënësve.

Klan News