Ramiz Tafilaj ka rrëfyer një histori mjaft të veçantë nga jeta e tij pasi ka kryer shkollën e mesme. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Tafilaj është shprehur se dëshira për të ardhur në Shqipëri para shumë vitesh i ka kushtuar 2 muaj burg.

Blendi Fevziu: Ju keni ardhur në Shqipëri dhe në adoleshencën tuaj, apo jo? Si ka qenë ajo histori?

Ramiz Tafilaj: Pasi kam kryer shkollën e mesme, vendosëm të kalonim kufirin.

Blendi Fevziu: Me u arratisë nga Jugosllavia e asaj kohe në Shqipëri?

Ramiz Tafilaj: Nga Kosova në Shqipëri. Synimi ynë ishte të qëndronim në Shqipëri. Sa kaluam kufirin në malet e Sulbicës, disa baresha gra shqiptare na thanë “o qyqe, kthehuni në Kosovë se nuk keni çfarë lypni këtu”. Ne nuk ju besuam atyre, dhe insistuam. Ajo pastaj thirri dikë, më vonë erdhën dhe ushtarakët, na çuan në njëfarë karaudhe ushtarake dhe kemi fjetur një natë në karaudhë dhe pastaj kemi ardhur në këmbë në Bajram Curr ku kemi qëndruar rreth 1 javë në burg dhe pastaj kemi ardhur në Laç në kullën e Preng Pervizit të Sigurimit të Shtetit, aty na kanë mbajtur rreth 1 muaj. Ne menjëherë e kuptuam se gabuam, nuk i dëgjuam bareshat dhe kërkuam të ktheheshim. Na kthyen pas 1 muaji.

Blendi Fevziu: Po në Jugosllavi a patët probleme?

Ramiz Tafilaj: Po, shkuam në burg. E bëmë planin si të paraqiteshim atje. Fajin e mora unë përsipër.  Unë u dënova 1 muaj, kurse shokët e mi 15-20 ditë. E mora dhe 1 muaj burg.


/tvklan.al