Një tjetër sasi e konsiderueshme lëndë narkotike është kapur nga policia në Kakavijë teksa një 39-vjeçar po tentonte ta kalonte drejt Greqisë.

Operacioni i koduar “Taksisti 2” u finalizua me gjetjen mbi 7 kilogram heroinë në mjetin e Fatbardh Dullës nga Uznova e Beratit me profesion taksist.

Droga e ambalazhuar në 14 pako ishte fshehur në autoveturën tip Mercedes dhe targa të Beratit 2627B.

Laura Totraku: “Tek pika e kalimit kufitar Kakavijë-Gjirokastër gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar prej këtij shtetasi u gjetën të fshehura në pjesët e brendshme të këtij mjeti 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë me një peshë prej rreth 7 kilogram e 255 gram. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e lëndës narkotike, automjeti tip Mercedes Benz me targë Berat 2627B, shuma prej 300 euro dhe 1 mijë lekë të rinj, si dhe dy aparate celularë”.

Ndalimi i 39-vjeçarit u krye pas sinjalizimeve të mbërritura në Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit për trafikun e drogës.

Po të enjten në këtë pikë doganore në operacionin e koduar, “Taksisti”, u sekuestruan 4 kilogram heroinë dhe u arrestuan 26-vjeçari, Blenard Afrimi nga Fieri, edhe ky me profesion taksist./tvklan.al