#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Marsela Karapanço, Blendi Klosi,Enton Abilekaj, Artan Hoxha

Kë zgjedh Rama?

Rama e ndau Tiranën në 3 përgjegjës, Abilekaj: Keqtrajtim i Veliajt për të treguar se…

Emisioni “Opinion” në Tv Klan është fokusuar në ndryshimet në qeveri dhe vendimet e Asamblesë së Partisë Socialiste.

I ftuar në emision, gazetari Abilekaj e ka quajtur vendimin për të “ndarë” Tiranën në 3 përgjegjës për zgjedhjet e 2025-ës si një “keqtrajtim të Veliajt”. Gjatë fjalës së tij, Abilekaj është shprehur se sipas tij, ky vendim është marrë nga Rama për të treguar se Veliaj nuk është rivali i tij.

Madje, Abilekaj mendon se kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Sako merr përsipër më shumë deputetë se se Veliaj, kjo sipas gazetarit është një formë që kryeministri Rama ka zgjedhur për të treguar se “Sako vlen më shumë se Veliaj”.

Në këtë moment, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, ka ndërhyrë duke thënë se krahasimi i Tiranës me Durrësin nuk qëndron fare.

Enton Alibekaj: Po ta shohim është keqtrajtim i Veliajt. Rama e ka zakon ta keqtrajtojë Veliajn vazhdimisht në politikë për të treguar se ky nuk mund të jetë rivali im. Nuk besoj se në Tiranë do të arrijë 40 mandate. Vetëm kryetarja e Bashkisë së Durrësit ka përsipër më shumë deputetë se Erion Veliaj, Sako vlen më shumë se Veliaj. Është zbehje se ka vënë re që Spiropali është e parë, me idenë që kjo është drejtuesja politike e parë. Veliaj i 2021 dhe në 2023 ka qenë absolut në Tiranë si drejtues politik. Nëse do të ndihmonte Veliajn, do i çonte bashkëpunëtorët, si për shembull Maznikun, por i çon dy konkurrentët për ta sfiduar.

Blendi Klosi: Krahasimi i Tiranës me Durrësin nuk qëndron fare. Drejtuesi politik është titullar i asaj gare.

Zgjedhjet 2025/ Blendi Klosi tregon sa mandate deputetësh kërkon PS të fitojë në Tiranë

Për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Partia Socialiste do të ketë 3 drejtues politikë. Krahas Erion Veliaj që ka qenë, u shtuan edhe Elisa Spiropali dhe Ogerta Manastirliu.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, i ftuar në studion e Opinion në Tv Klan, tha se kjo përzgjedhje e kryesocialistit Edi Rama ka qenë edhe para 3 vitesh.

“Po të kujtojmë para 3 vjetësh, prapë Tirana ka qenë e drejtuar me 3 personalitete; Ervin Bushati, Elisa Spiropali dhe Erion Veliaj. Pra jemi në të njëjtat kushte si në 2021. Nuk ka asnjë ndryshim nga vitit 2021. Ashtu siç është dhe sot, në Tiranë do ketë ministra, drejtues të lartë, sepse Tirana është jo pak por mesa pritet do ketë 40 mandate deputetësh. Në Tiranë do përpiqen të gjithë, të gjithë tentojnë Tiranën, sepse votat janë shumë”.

Klosi shpalli edhe synimin e PS sa mandate deputetësh kërkon që të fitojë në Tiranë.

“Tirana është gara më e madhe, ka më shumë mandate, territori më i madh, do jemi shumë forca që të punojmë. Objektivi jonë është të marrim jo gjysmën si herën e kaluar, kërkojmë më shumë, të marrim më shumë, kemi drejtues bashkish që janë tashmë të konsoliduar”.

Blendi Klosi foli edhe për rolin e tij si Sekretar i Përgjithshëm i PS, dhe detyrën e re të Taulant Balla që është drejtues politik për votat e Diasporës.

“Sekretari i Përgjithshëm i partisë do të ketë detyra më të shtrira në qarqe, akoma nuk është vendosur ku do kandidoj unë apo drejtuesi politik i diasporës. Taulant Balla do të ketë një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, është një gjë e re, përpjekjet do jenë të jashtëzakonshme gjatë këtyre 6 muajve”.

Deputetët e vjetër të PS në lista të hapura, Klosi: Taktikë elektorale

Deputetët e vjetër të PS që kanë më shumë se 1 mandat deputeti, do të kandidojnë në lista të hapur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, tha në emisionin Opinion në Tv Klan, se kjo është taktikë elektorale e socialistëve për të ngjallur më shumë garë.

“Në 2021 drejtuesit politikë u vunë në limitet që të kalonin, ishte taktikë elektorale. Meqënëse kishte mundësi që deputetët e poshtëm të thyenin herësin, të gjithë garonin dhe kjo solli një energji të fortë sepse dhe ata që ishin sipër ishte të rrezikuar nga drejuesit politikë por dhe gjithë të tjerët. Ndërkohë PD as e vuri fare këtë gjë. Këtu humbën një forcë shumë të madhe.

Tani është po e njëjta logjikë. Lista nuk është e mbyllur fare. Gjysma e fituesve në Vlorë do të jenë të fiksuar. Në lista tentohet të ketë rinovim, të ketë edhe figura të reja nga qyteti, të cilët mbase po të dalin në garë e kanë më të vështirë të marrin vota. Mbrojtja do t’i jepet kësaj kategorie. Ndërkohë kategoria tjetër që ka më shumë njohje, që janë logo të PS, ata padyshim do jenë në garë dhe do mbledhin vota dhe do përpiqen të krijojnë gjithë listën. Lista është e tillë që ata që janë të fiksuar nuk marrin vota personale”.

Ndarja e Tiranës në 3 pjesë, Karapanço: Rama luan ‘tërhiq e mos e këput” me Veliajn/ Hoxha mendon ndryshe

Ndarja e Tiranës në tri pjesë duke e lënë nën drejtimin e Elisa Spiropalit, Erion Veliajt dhe Ogerta  Manastirliut është një nga temat e diskutimit  në “Opinion” në Tv  Klan. Në këndvështrimin e gazetares  Marsela Karapanço, kjo lëvizje e Edi Ramës është një mënyrë për të luajtur “tërhiq e mos e këput”. Sipas gazetares, Rama  nuk ka vendosur ta eliminojë Veliajn, por  njëkohësisht ka shtuar dy emra të tjerë krah tij.

Në raport me Veliajn, unë eshoh një lëvizje tërhiq e mos këput nga ana e z. Rama. Edhe e shtyn pak, por edhe e tërheq duke e mbajtur prapë me dy zonjat, Ogerta Manastirliun dhe Elisa Spiropalin të cilat janë figura të Partisë Socialiste. E gjithë jehona që ka shoqëruar debatin qoftë nga “5D”, qoftë nga gjithë zhvillimet që kanë ardhur nga SPAK-u sesa është lakuar emri i  z. Veliaj, nuk kemi parë një prerje koke. Pra kjo do të thotë që diçka ka, që zoti Veliaj kontribuon, merr vota,ne e dimë se mandatin e tij të tretë, të gjithë votat që ka marrë për  Tiranën, por nga ana tjetër, duke i shtuar dy të tjerë, më duket thjesht loja ” tërhiq e mos e këput” me Veliajn.

Ndërsa analisti Artan Hoxha mendon se Rama po e kompenson Veliajn. Sipas tij, ai nuk e ndëshkon për  shkak të dobisë që i sjell, por as nuk e promovon për shkak të raportit me SPAK-un. Hoxha e quan Veliajn “një lojtar të plagosur” që “s’luan dot me kapacitetet që ka pasur”.

Rama as nuk e ndëshkon Veliajn, nuk ka luksin të ndëshkojë një lojtar si Veliaj, i ka bollshëm kundërshtarët dhe armiqtë, s’ka pse të ndëshkojë njerëz që i bëjnë dobi atij, nga ana tjetër as nuk e promovon sepse  nuk është as momenti, nuk bën sens politik t‘i bëjë promovim Veliajt në këtë moment. Unë them që Edi Rama me këtë skemë treshe të Tiranës, e kompenson Veliajn sepse ndonëse Veliaj është një lojtar i mirë, është një lojtar i plagosur. Është i plagosur për një seri çështjesh që i ka të hapura dhe gjithë rrjetin e bashkëpunëtorëve të vet që i ka pasur në krah në 2021, në 2023, një pjesëi ka në burg, një pjesë i ka të trembur, një pjesë të hallakatur dhe është një lojtar që ende nuk mund të luajë me kapacitetet që ka pasur

Zgjedhjet e 2025-ës/ Hoxha: PS do të synojë të marrë pushtetin e vetme

Analisti Artan Hoxha thotë se Partia Socialiste do të synojë që ta marrë pushtetin e vetme në zgjedhjet e 2025-ës. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, analisti Hoxha shprehet se në PS do të luftojnë për çdo votë teksa shton se Ramës i duhet që të optimizojë fuqisë e skuadrës.

Artan Hoxha: Optimizim i forcës së skuadrës. Në logjikën e Edi Ramës është kjo: Një masë votash e kam të garantuar, i jepet partisë. PS u mësua që në 2 mandate të marrë pushtetin e vetme dhe në njëfarë mënyre ka të njëjtin interes, ndoshta është e dënuar të luftojë të marrë pushtetin e vetme. Do të synojnë të marrin pushtetin të vetëm. Këtu do të thotë të lufton në kufijtë e të mundurës, që do të thotë se çdo votë për ta vlen.

I duhet që të optimizojë fuqinë e skuadrës dhe skema që përdor, më të njohurit i vë tek zona ku i motivon që të luftojnë për çdo votë dhe më pak të njohurit, ata që mendon se do i ketë brezin e ardhshëm të deputetëve në mandatet e tjera, i vendos tek vendet e sigurta, pra tek 1/3 e listës së mbyllur. Rama bën këtë hesap. Cilido nga të vjetrit që do të sjellë vota, vlen të vazhdojë. Cilido që nuk sjell më vota është për pension, nuk është më për këtë punë.

Ndarja e Tiranës, Blendi Klosi: Nuk duhet thjesht fitore, është garë e vështirë

Drejtimi i Tiranës nga Elisa Spiropali, Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliut duke shpërhapur pushtetin ka ngritur pyetje rreth raportit Rama-Veliaj.

Pyetjes “përse Tiranës iu desh kaq përforcim” të drejtuar nga Marsela Karapanço, iu përgjigj në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Blendi Klosi. Sekretari i Përgjitshëm i PS tha se në Tiranë duhet një fitore e fortë. Ai tha se këtë herë gara është më e përgatitur dhe partia ka treguar që problemin e ka te njerëzit dhe jo te kundërshtarët.

Blendi Klosi: Nuk duhet thjesht një fitore në Tiranë. Në Tiranë duhet një fitore me më shumë mandate. Është një garë e vështirë.

Blendi Fevziu: Edhe në mandate fitore të madhe keni ju, nëse shohim votat lokale kur përkthehen në mandate.

Blendi Klosi: Ajo që PS ka prej vitesh tashmë të deklaruar është që ne nuk kemi problem kundërshtarët përballë. Ne kemi  problem me raportin me njerëzit, me qytetarët të cilët duhet t’u shërbehet, duhet të kontaktohen.Ne garën kësaj radhe e kemi shumë më të fortë dhe më të përgatitur sesa garat e tjera, jo se kemi dyshime që fitojmë, por se ne vazhdojmë të forcohemi duke punuar, të tjerët merren me llafe. Edhe politika është punë, ka nevojë për punë, është profesion. Kaq e madhe sa është Tirana, nuk mund ta menaxhojë vetëm me një drejtues. Kaq e thjeshtë është gjëja

Opozita kërkon qeveri teknike, Sekretari i Përgjithshëm i PS: Pse të iki Rama? Ai merr vota

Një nga kërkesat e opozitës gjatë javëve të fundit është krijimi i një qeverie teknike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Kësaj kërkese të opozitës i është përgjigjur Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi.

Nga studio e emisionit Opinion në Tv Klan, Klosi e ka konsideruar absurde këtë kërkesë të opozitës 6 muaj para zgjedhjeve.

Kjo është një tezë tjetër, se si një forcë politike që do të marri pushtetin, ka 3 vjet, ka dhe 6 muaj për garë dhe mesazhi kryesor që vjen nga kampi opozitar është që nuk duam të fitojmë pushtetin, nuk është që kanë forcë, ide, ndjesira pozitive, por thonë e vetmja mënyrë se si duan të marrin pushtetin është të iki ky Edi Rama që ta marrim ne, të kemi dhe qeverinë bashkë. Po pse të iki Edi Rama? Edi Rama merr votën për të qeverisur. Ç’është kjo kërkesë? Më disfatistja e mundshme! Është e paimagjinueshme se si 6 muaj para zgjedhjeve, e vetmja mënyrë se si mund të vijnë në pushtet… si mund të thuhet njëherë?  I vetmi mesazh politik është të iki Edi Rama nga qeveria”, u shpreh Blendi Klosi.

”Rama e mendon veten përtej 2029”, Hoxha: Të tjerët lëvizin, ai mbetet lideri absolut

Analisti Artan Hoxha mendon se lëvizjet e fundit që Rama bëri në Partinë Socialiste tregojnë që ai e mendon veten përtej 2029-ës. Në shpjegimin që ai jep në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Hoxha thotë se njëkohësisht  po bën një transfuzion të ngadaltë të partisë. Më tej, ai vijon duke thënë se Rama po evidenton figura të reja, po largon të vjetra por gjithnjë duke mbetur vetë në krye për të treguar se është lideri absolut.

Artan Hoxha: Duhet të japësh një shpjegim pse i bën këto lëvizje se që i ka mundësitë t’i bëjë i ka, pyetja është pse i bën? Mendoj që ai në mendjen e vet duke e menduar veten përtej 2029, po bën një lloj transfuzioni gradual dhe afatgjatë të të gjithë partisë. Po jep mundësi për krijimin e figurave të reja ekzekutive, disa prej tyre do i dalin holba, do i dalin, disa do i dalin saktë, do i kalojë këtej. Po i jep një shans të  fundit një pjese të vogël të të vjetërve,  kini parasysh: në garën për 142  deputetë, vetëm maksimumi 40 janë garë e hapur. Ndaji përgjysmë  këto, një 20-she mund të mbijetojë nga kasta e vjetër.  Pjesa tjetër do të skarcohen, kuptohen. Te ekzekutivi, ka qarkulluar dhe ka dhënë mundësi për t’u evidentuar në ekzekutiv shumë figura, i ndërron, sipas rastit, përfiton edhe nga fakti që çlirohet nga ngarkesa politike, por si krijohet lideri absolut? Vetëm ai është shtylla e qëndrueshme, e pandryshueshme, të gjithë të tjerët janë relativë, rrotullohen, hiqen, vihen, hipin, ngjisin ndaj ai bën të gjitha këto lëvizje

Dëshmia e motrës së Egli Progës

“E mendoja gjallë në spital”, rrëqeth motra e Progës: Pas 2-3 ditësh mësova rrethanat si kishte vdekur

Jonida Porga, motra e të ndjerit Egli Proga ka treguar se si ka mësuar se i vëllai kishte ndërruar jetë. E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Jonida Proga përmes një rrëfimi tejet prekës ka thënë se kur ka qenë mbi kokën e të vëllait në spital e mendonte gjallë. Më tej, ajo u shpreh se ngjarjen se si kishte ndërruar jetë i vëllai e kishte mësuar pas 2-3 ditësh.

Jonida Proga: Lutesha mbi kokën e tij që të ishte gjallë dhe e mendoja gjallë dhe as e çova ndërmend. Nga hetimi rezulton se kishte ndërruar jetë. Më pas erdhi babai, ishim ne familjarët. Kur shikoja gjendjen, e masakrauar aty, dilja jashtë, ishte policia që rrinte te dera dhe vazhdoja e pyesja e çfarë kishte ndodhur, rrinin aty si gardh tek spitali i Pogradecit dhe nuk thonin se çfarë kishte ndodhur. Vetëm kur e dëgjova nga doktorët.

Blendi Fevziu: Ngjarjen kur e more vesh?

Jonida Porga: Mjekët nuk jepnin përgjigje, policiët nuk jepnin përgjigje dhe madje tentonin dhe thoshin “futuni brenda, bëni foto dhe na e tregoni neve”. Nuk kam dëgjuar atë që ishte nëpër media që një person kishte vdekur për shkak të… Këtë e kam parë pas 2-3 ditësh.

Nuk na tregohej se në çfarë rrethanash kishte ndodhur. Pas 3 ditësh e mësova ngjarjen. Nuk kisha emra dhe asgjë për 2 ditë, nuk kisha informacion sepse nuk isha as në rrjete sociale. Vinte njëherë një emër, diskutohet Arjan Manellari, më pas më erdhi emri i dytë. Bëja veten me faj që kam qëndruar tek koka e vëllait dhe nuk kam rendur komisariatave.

Një gjë ishte e sigurtë që ishte vrarë nga shumë njerëz. E kam tek pjesa që qarkullonte tek spitali i Pogradecit. Nën hije dhe nën frikë kishe mjekët që nuk flisnin. Nuk e dëgjoja nga një mjek që thoshin që është goditur. Vetëm në gjendje të dehur qarkullonte.

Motra e Egli Progës zbulon detajin absurd në ekspertizën mjeko-ligjore të vdekjes së vëllait

Jonida Proga, motra e Egli Progës, 42-vjeçari që u vra në Pogradec në muajin Gusht, ka shprehur pakënaqësinë me një pikë të ekspertizës mjeko-ligjore që ka përcaktuar shkaqet e vdekjes së vëllait të saj.

Në intervistën për emisionin Opinion në Tv Klan, ajo thotë se ekspertiza mjeko-ligjore nuk mund të bëjë hipoteza rreth objektit me se mund të jetë goditur i ndjeri, por përcakton shkaqet e vdekjes.

“Këmbëngula për autopsinë. Në konkluzion përcaktohet përse ndërron jetë një person. Në pikën e 2 ajo që unë nuk e kuptoj, thotë këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë mbrëjtës siç mund tëjetë edhe goditja me grusht. Ekspertë mjeko-ligjorë që janë mbledhur…Nuk e vendos mjekësia ligjore siç mund të jetë grushti, o është o s’ështsë. Ti përcakton çfarë ka ndodhur, dhe kemi një ak-ekspertimi dy faqe. Gjithë kjo vonesë e krijuar, gjithë këto pengesa, fshehje, manipulime, është në kurriz të të ndjerit, secilit nga ne, na detyrohen të gjithëve si familje gjithë kjo vonesë”, shprehet motra e të ndjerit.

Në akt-ekspertizën e vdekjes, mjekësia ligjore shkruan se “këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë mbrejtës siç mund të jetë edhe goditja me grusht”.

La pas dy fëmijë, motra e Egli Progës kujton mes lotësh mesazhin e nipit 12-vjeçar natën e vrasjes

Jonida Proga, motra e Egli Progës, 42-vjeçarit në Pogradec që humbi jetën tragjikisht, ka rrëfyer në “Opinion” në Tv Klan, detaje rrëqethëse të vdekjes së vëllait të saj. Një nga momentet më prekëse të rrëfimit është edhe reagimi i dy fëmijëve të Eglit kur e morën vesh. Ai ka lënë pas dy djem, 12 dhe 3 vjeç, ndërsa ka qenë i madhi ai që menjëherë i ka dërguar mesazh Jonidës.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, vëllai ka lënë dy fëmijë apo jo? Çfarë moshe janë?

Jonida Proga: I madhi Hermes është 12 dhe i vogli është 3 vjeç.

Blendi Fevziu: Si ka reaguar i madhi?

Jonida Proga: I madhi që atë natë e ka marrë vesh, meraku im i madh ishte i madhi, e ka marrë vesh nga mami i vet dhe më ka bërë mesazh nipi.

Blendi Fevziu: Çfarë thoshte?

Jonida Proga: “Të dua shumë halla, ma puth gjyshin shumë”. U bë i fortë direkt.

Blendi Fevziu: Po i vogli?

Jonida Proga: I vogli vetëm kur na dëgjon ne dhe e kërkon. Nuk po e kërkon siç e kërkon përditë.

Jonida Proga shton se ka qenë kërkesa e shumë njerëzve hapja e një “Go Fund Me” për të ndihmuar familjen. E përlotur, ajo ka falenderuar median dhe njerëzit si mbështetje dhe ndihmë e madhe në këto ditë të vështira.

“Kemi ndier prezencën, dashurinë dhe dhembshurinë e njerëzve. Ju falenderoj shumë që të gjithë. ndihma e madhe e jona, e para ka qenë media dhe njerëzit dhe e them me sinqeritet. Ndjeshmërinë që ne kemi ndier ka qenë media, gazetarët që kanë ardhur dhe njerëzit pafund. Ju falenderoj shumë për gjithë ngushëllimet, gjithë mbështetjen, e di që e kanë ndier në lëkurë atë që nuk mund ta them sesa e tmerrshme është”, përfundoi Jonida e ngashëryrer.

“Eglin e detyruan t’iu paguajë birrat dhe e tallën”, motra e 42-vjeçarit bën publike dëshmitë

“Dëshmitarët më shkuajnë me adresa false, shkruajnë se e kishin detyruar të ju paguante birrat dhe e tallnin”, kështu ka deklaruar motra e Egli Progrës, Jonida Proga në një rrëfim prekës.

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Proga ka thënë se dëshmitarët që kanë parë ngjarjen se si vdiq i vëllai kanë shumë informacione, por sipas saj, kanë frikë që t’i japin.

Jonida Proga ka bindjen se i vëllai i saj është masakruar brenda lokalit ku ka ndodhur ngjarja dhe më pas është hedhur përjashta.

Jonida Proga: Dëshmitarët shkruajnë me adresa fallso, që thonë se “dëgjuam të sharat dhe të bërtiturat”. Shkruajnë që “e kishin detyruar të ju paguanin birrat dhe e tallnin me 20 mijë Lekshin që e kishin nxjerrë për të paguar birrat”. Ja kërkuan autorët. Kanë të gjithë më shumë informacion dhe janë të gjithë që nuk dalin. Edhe dëshmitarët që e kanë parë ngjarjen nuk duan të dëshmojnë, por mua më shkruajnë me adresa fallso. Kanë shumë frikë nga këto persona.

Blendi Fevziu: A keni takuar ndonjë dëshmitar të ngjarjes?

Jonida Proga: Këtë e kam bërë kur kam ndaluar në dyqane duke kërkuar dëshmitarë. Njerëzit që kanë pranuar që “hyri, e pamë, e thirri”, i kam çuar me pahir në prokurori. E dinin panoramën dhe i bënin përgjysëm nga frika. Një nga personat që pyeta dhe më tha se “Egli u fut brenda”, është emër që çova.

Kishte mbyllur lokalin dhe po vinte për në shtëpi. Është një vend kontigjentësh, është një zonë e mbipopulluar pastaj kemi këtë kontigjentin që njihet nga policia e Pogradecit. Egli ka hyrë vetëm aty. Personat që kanë qenë brenda, kanë qenë në tavolinë.

Me personin që është arrestuar nuk mund të jenë miq ata të dy. Vëllai futet brenda, masakrohet brenda. Ai është goditur brenda e jashtë dhe është hedhur përjashta. Dëshmitarët që japin versionet janë dëshmitë e vrasësve dhe bashkëautorët e tyre që janë mundur t’i mbulojnë bashkë me komisariatin e Pogradecit.

/tvklan.al