#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të Ftuar: Artan Hoxha, Glidona Daci, Elisabeta Imeraj, Erzen Breçani. Në lidhje direkte: Ylli Rakipi, Koloreto Cukali

Cukali: Kurajo e krimit për të goditur një media, shumë shqetësuese

Kreu i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, e vlerëson shumë shqetësuese kurajon e krimit për të goditur median, duke u ndalur tek sulmi me armë i së hënës ndaj Top Channel.

“Në diskutim (në studio) u fol për mungesën e sigurisë. Mungesa e sigurisë në vend është njëra anë e problemit. Problemi tjetër është sulmi ndaj medias. Sepse kurajo e krimit për të goditur në nga mediat më të mëdha në vend, pa asnjë problem, pra në një mënyrë fare të thjeshtë, është shumë shqetësuese. Dhe nuk janë 3 njerëz në kokainë, të eksituar të cilët bëjnë një veprim të pamenduar. Jo, është e organizuar. Por dua të them ç’është kjo kurajo për të goditur median? Sepse pas medias mbeten të shkojnë të qëllojnë me plumba o ministrinë e rendit ose kryeministrinë. Edhe në Meksikë, që është një vend me mungesë totale sigurie, nuk para kam dëgjuar goditje mediash. Gazetarësh po, por jo të shkosh të godasësh një media, një institucion është një kurajo shumë e madhe. Dhe kjo në gjykimin tim vjen sepse ne kemi prej kohësh një retorikë politike që deligjitimon median”.

Cukali tha se vetëm vitin e shkuar janë raportuar rreth 19 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe asnjë prej këtyre rasteve nuk është zbardhur.

“Ne po shqetësohemi shumë, sepse është për t’u shqetësuar rasti i fundit. Po nuk ka ardhur kot ky rast. Vetëm vitin e kaluar ne kemi të raportuara 19 sulme ndaj gazetarëve dhe asnjë nuk është gjetur dhe askush nuk është kapur. Pa folur për kërcënime të pafundme që u shkojnë gazetarëve në rrjetet sociale dhe gazetarët vetë e dinë që nuk ka më kuptim as t’i denoncojnë sepse askush nuk ka për t’i zgjidhur. Kështu që kjo mungesa e vullnetit është e perceptuar nga krimi”.

Shpifjet në portale, “shpërthen” Artan Hoxha: Ndaj kujt do të bësh padi mo?! Nuk ka ligj, mua më kanë vdekur disa herë

Blendi Fevziu: Fola për të drejtën për t’u mbrojtur të një njeriu që sulmohet. Kur gazetari sulmohet, e mbrojmë dhe ne, themi të mbrohet shtypi, s’duhet prekur. Po ky qytetari që shkelet me këmbë pa të drejtë, ku do ankohet?

Koloreto Cukali: Do të jap përgjigjie për të dyja. Ka një ligj shumë të mirë për shpifjen, por njerëz që ngrenë padi ka shumë pak.

Blendi Fevziu: Ku do ta bësh padinë, ndaj kujt?

Artan Hoxha: Ndaj kujt do të bësh padi mo? Ku ka ligj, s’ka ligj fare! Po rri tani…Ai vë maskën, unë jam njeri që kam adresë, që më gjen, që dihet se ku jam. O vëlla, del ai dhe e shkruan në portal u vra filani, merrte gjithë dynjaja në telefon. Hajt ta gjej, si ta gjej?! Ka kohë që kam vdekur…

Blendi Fevziu: Nuk është zgjidhja ligjore Cukali, nuk ekziston!

Artan Hoxha: Ja fusin kot, nuk ekziston! Në cilën Gjykatë do vete unë nesër të ankohem? Ça i keni këto përralla or burrë se na mërzitët!

Koloreto Cukali: Pjesa më e madhe e portaleve janë të regjistruara, kanë nipt, pra kanë aktivitet ekonomik dhe gjenden shumë kollaj se kush janë. Juve mund t’ju sulmojnë edhe në Facebook.

Ylli Rakipi: Sulmi ndaj Top Channel, kalim i vijës së kuqe

Kryetari i Lidhjes së Gazetarëve, Ylli Rakipi në një lidhje direkte me emisionin Opinion, e cilësoi sulmin me armë ndaj Top Channel, një kalim të vijës së kuqe, një akt që mbjell terror.

“Është një kalim i vijës së kuqe. Ky akt mbjell terror, nuk është një akt terrorist. Përgjithësisht aktet terroriste, merren përsipër dhe tregohet qartësisht arsyeja. Aktet mafioze janë akte të cilat vështirë dhe të zbulohen. Unë uroj që ky të jetë një akt i zbulueshëm, sa më shpejt. Akte të tilla përgjithësisht vështirë të zbulon. Ndodhi në mediat, e ke parasysh ti, një ngjarje që ndodh rëndom në botën e tretë nuk zgjon median e madhe. Po të ndodhë kjo në perëndim, një akt i madh, menjëherë reagohet fort. Edhe në këtë rast reagimi është më i madh, por është e njëjta gjë që ka ndodhur 2 javë”.

Për Rakipin, sulmi është një mesazh dhe një akt shumë i qartë.

“Ky është një mesazh dhe një akt shumë i qartë. Sepse kështu kemi shkuar Fevzi, në këto pozita jemi. Jetojë bashkë me krimin. Asaj që ne i themi pjesë nëntokësore, pjesa poshtë, nuk është më poshtë, është bashkë. Ulen bashkë me ne, janë në krahun tonë. Ne Fevzi punojmë me ta. Populli ynë i dashur punon me ta, ditë dhe natë. Por të punosh me ta ke dhe kosto, siç ishte dy javë me parë, u vra banakierja e shkretë. Këtu u vra roja. Me vrasjen e rojes nuk është se ju mbyll goja fjalës së lirë të Top Channel apo jo. Shteti duhet të bëjë përpjekjet më serioze të mundshme, por dhe njerëzit aty të institucionit, të televizionit edhe ata mund të ndihmojnë shumë. Çfarë ata kanë, sepse në deklaratë siç e pashë unë… Por ata thoshin se askush nuk ka, atëherë e kanë me institucionin e lirë. Po me kë? Erdhën vranë lojën dhe institucioni i lirë shpëtoi? Domethënë e mbyllën institucionin e lirë duke vrarë rojen? Dua të nënvizoj këtu, ka ndodhur ajo që nuk duhet të shkonte deri këtu. Unë pajtohem, jam në krah të kësaj medie dhe është goditur një nga TV më të rëndësishme të vendit. Dhe kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme. Domethënë krimi mbërriti këtu, pastaj pjesa tjetër është e diskutueshme të cilën ne e harrojmë. Mbaron kjo ngjarje ne harrojmë dhe nesër kalojmë tek ngjarja tjetër. Por mbi të gjitha harron shteti. Shteti, qeveria duhet të ketë një alarm të jashtëzakonshëm sepse askush nga këta nuk ndalet më tani, ata e kanë botën e tyre. Botën ku ne jetojmë Fevzi e kanë të vetën, e kanë ata në zotërim dhe bëjnë çfarë të duan, marrin automatikun dhe shkojnë te TV më i madh i vendit dhe e sharrojnë atë. Pra jemi deri këtu”.

Imeraj dhe Breçani, në një mendje për sulmin ndaj Top Channel

Ish-prokurorja Elisabeta Imeraj dhe ish-zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, janë në një mendje për sulmin me armë ndaj televizionit Top Channel. Të ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ata u shprehën se sulmi është organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Elisabeta Imeraj: Është një mesazh. Për shkak të linjës editoriale, për shkak emisioneve të ndryshme, për shkak të biznesit, këtë nuk mund ta themi tani. Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është ai qytetari i shkretë. Ai qytetari i thjeshtë që në mënyrë të papritur për një rrogë dhe të mendosh se e lexova në disa portale sot, dëm kolateral. Është e tmerrshme ta shikosh jetën e individit si dëm kolateral. Është e tmerrshme të mendosh që ne ndërmarrim kaq shumë veprime qoftë edhe në rang të reformimit. Mbetemi pa gjykatë disa kohë dhe kjo quhet dëm kolateral. Mbetemi ku krimi i organizuar ecën me mjete të sofistikuar dhe gjykatës, prokurorë ecin me ritmë të ngadaltë. Është një mesazh i mirëfilltë i dhënë në mënyrën më të organizuar të mundshme. Për mua është krim i organizuar.   

Erzen Breçani: E mbështes mendimin e Elisabetës sepse është mjaft e organizuar dhe mirëorganizuar, në mënyrë perfekte. Nuk duhet të nisemi dhe të themi që është një dëm kolateral. Unë jam i bindur që këta persona të armatosur, edhe po tu kishte dalë përpara policia do kishte viktima. Këta persona kanë marrë një automjet dhe e dinë çfarë makinash ka policia në rrugë. Me këtë automjet e çajnë edhe makinën e policisë. Këta janë me mendje të ndame që themi ne.

Ish-prokurorja: Sulmi ndaj Top Channel, i organizuar në detaje. Nuk e kanë vënë ujin në zjarr fare për pasojat

Ish-prokurorja Elisabeta Imeraj e ka quajtur sulmin e të Hënës ndaj ambienteve të Top Channel, një akt të krimit të organizuar.

Mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan, Imeraj tha se duke marrë parasysh rrethanat e ngjarjes dhe shumë elementë të tjerë, veprimet ishin të mirë organizuara dhe se autorët nuk i kanë marrë fare në konsideratë pasojat.

“Duke gjykuar nga rrethanat në të cilat ngjarja ka ndodhur, nga mënyra se si është organizuar, mjeti i përdorur, nga itinerari i lëvizjes, plumbat e hedhur e nga personat e përfshirë në të, jemi në kuadratin e organizimit të mirëfilltë. Veprime të cilat mund të bëhen vetëm nga krimi i organizuar. Është i mirëorganizuar me detaje.

Krimi i organizuar ka goditur në një mënyrë të tilë që nuk ka marrë fare në konsideratë nëse shkakton apo jo pasoja. Goditja ka ardhur e tillë në një moment kohor kur gazetarët janë larguar, por ama nuk kanë marrë masa që të parandalojnë ardhjen e një pasoje të mundshme, ose me një plumb të drejtëpërdrejtë apo rikoshet. Ata, e shprehur në rang popullor dhe jo juridik, nuk e kanë vënë ujin në zjarr fare nëse do ndodhnin apo jo pasoja”, u shpreh Imeraj.

Sulmi me armë ndaj Top Channel, Hoxha: Autorët kanë përcjellë një mesazh…

Gazetari Artan Hoxha ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku dha detaje të tjera nga sulmi me armë në televizionin Top Channel.

Hoxha u shpreh se roja Pal Kola ndërroi jetë si pasojë e një plumbi rikoshet. Ai ka marrë vetëm një plumb në shpatull që i ka shkaktuar hemorragji.

Kola është munduar të lëvizë dhe të kërkojë ndihmë tek roja tjetër, por ka lëvizur vetëm disa metra dhe ka rënë në tokë ku ka humbur jetën.

Sipas gazetarit Hoxha, autorët e kësaj ngjarjeje nuk kanë dashur që të shkaktojnë viktima. Ai theksoi se bëhet fjalë për një atentat me kosto të lartë dhe autorët kanë dashur që të përcjellin një mesazh.

“Autorët e kanë parë shumë mirë që aty nuk ka patur më njerëz dhe aty nuk u ka interesuar të godisnin njerëz sepse këtë mund ta bënin kur të donin. Ata e kanë parë një herë objektin dhe janë kthyer për së dyti. Makina nuk ka qenë me shpejtësi.

Kjo lloj makine është një nga makinat më të mira në qarkullim, më të sigurtat… Në Shqipëri nuk kanë ndodhur shumë ngjarje me “Range Rover”. Është ajo që kam thënë gjithmonë, atentati vlerësohet nga kostoja. Ky është një atentat me kosto të lartë. Autorët nuk kanë dashur të shkaktojnë dëme në njerëz, për mua autorët kanë përcjellë një mesazh të fortë. Zakonisht mesazhet në media i marrim, o të vijnë nga një mesazh, o nga një telefonatë, o të vjen dikush të takon, o të vjen dikush të kërcënon verbalisht, o vjen dikush të takon familjarët e tu dhe pastaj në fund vijnë predhave. Pas predhave është kërcënimi i fundit, është plumbi. Fakti që kanë goditur në lartësi, pra nuk kanë dashur të dëmtojnë njeri. Gazetarët e TCH edhe ata që merren me redaksinë e investigimit i ke me duar në xhepa, i ke rrugëve. Ne jemi rrugëve nuk na mbron njeri. Nuk kanë synuar të dëmtojnë askënd. Ai është mesazh i qartë që u shkon atyre që janë pronarë të TVH. Goditja në atë farë feje është mitralim. Është e njëjta situatë si tek ngjarja në 12 Mars ku u vra Mimoza Paja. Ata lloj vrasësish ishin të armatosur. Ata mund të merrnin Top Channel peng. Të vetmit njerëz që kam parë aty me vëmendje për shkak të punës, aty ka shoqërues privatë që kanë qenë për drejtuesit e Top Channel. Shoqërues që Kanë lëviz me truproja. Edhe më përpara kanë lëvizur me shoqërues pronarët e Top Channel kanë qenë të shoqëruar se kanë ndjerë rrezik dhe kanë qenë të shoqëruar dhe nuk lëviznin vetëm ata. Ky lloj mesazhi ka synuar më shumë t’i trembë ata”, tha Hoxha.

“E ka kapur plumbi rikoshet në shpatull”, gazetarja: Pal Kola lëvizi 10 metra nga kabina për të kërkuar ndihmë

Tema e diskutimit këtë mbrëmje në “Opinion” në Tv Klan ka të bëjë me sulmin me kallashnikov drejt ambienteve të Top Channel, ndodhur orët e para të së Hënës. Gazetarja Glidona Daci dha më shumë detaje për vrasjen e rojes së televizionit, Pal Kola.

“Për t’u ndalur tek 61-vjeçari Pal Koka, atë e ka kapur sipas ekspertëve në vendin e ngjarjes dhe pamjeve filmike të televizionit, e ka kapur një plumb rikoshet sepse ai ka qenë në ambientet e brendshme të kabinës dhe është plagosur në shpatull fillimisht. Ka tentuar të dalë nga kabina, ka lëvizur për të paktën 8 deri në 10 metra nga kabina ku ishte dhe ka ngelur në mes të oborrit.

Është goditur brenda kabinës dhe ka dalë për të kërkuar ndihmë tek pjesa tjetër e security, tek punonjësit e tjerë të cilët qëndrojnë tek hyrja kryesore. Ndërkohë që kolegu i tij kishte vetëm pak minuta që kishte lëvizur nga vendi i punës, sepse në kabinë qëndronin dy punonjës”, deklaroi gazetarja.

Po sipas Dacit, tragjedia mund të ishte akoma më e rëndë duke qenë se një furgon me gazetarë që kanë mbyllur turnin ka dalë 3 minuta para sulmit.

“Tragjedia mund të ishte dhe më e madhe pasi 3 minuta më përpara sulmit me armë, njëri nga furgonët ka transportuar gazetarët të cilët ishin në turnin e tyre të natës, duke qenë se për shkak të zhvillimeve politike ka pasur punonjës deri vonë. Mund të kishte marrë plumba sepse janë shkëmbyer me makinën e autorëve”, tha Daci.

Videopërgjimi që arrestoi policin!

Publikohen për herë të parë pamjet e oficerit të RENEA-s kur merr 113 mijë Euro

Gazetari Artan Hoxha ka publikuar për herë të parë pamjet e oficerit të arrestuar të RENEA-s, Altin Morina, kur merr 113 mijë Eurot, para që iu gjetën në makinë kur iu vunë prangat.

Hoxha sqaroi në emisionin “Opinion” në Tv Klan se në video, shfaqet Morina, i cili qëndron në një lokal dhe merr 113 mijë Euro nga biznesmeni Gentian Gjoka. Në një moment, shfaqet edhe kamarieri i lokalit, i cili në një market aty afër, merr një qese dhe ia jep Morinës dhe ky i fundit fut paratë.

Sipas Hoxhës, në tavolinë shfaqen më vonë edhe bashkëshortja dhe djali i biznesmenit. Në fund, oficeri i RENEA-s takohet me të gjithë këta persona e tjerë dhe largohet me qesen në dorë.

“Kjo ka ndodhur më 14 Mars, dy ditë pasi ka ndodhur atentati në Don Bosko, ku mbeti e vrarë Mimoza Paja pra në lokalin e Fation Muratit. Kur është dhënë lajmi është kapur një oficer i stërvitjes së RENEA-s, një oficer që ka përvojë atje. Ka bërë edhe detyra të tjera. Altin Morina, është 43 vjeç. Në momentin e parë që u kap, u kap me 113 mijë Euro, diku te 13 milionë të vjetra dhe nja 80 Paund. U tha që këto para janë kapur kur po vinte nga Elbasani dhe kapja e tij mund të ketë lidhje me vrasjen e datës 12. Nuk kishte lidhje me këtë. Pastaj erdhi historia te pjesa tjetër që për shkak se keqpaguhen njësitë tona speciale, atëherë krimi paguan.

Ky regjistrim është kamer lokali është bërë vetëm 1 orë para se të arrestohej. Kjo është në zonën e Tiranës së Re. Është në lokal. Ky është Altin Morina. Ky është kamarieri i lokalit. Ky është biznesmeni Gentian Gjoka. Ajo kutia e bardhë që la në tavolinë janë 113 mijë Euro. Këta të dy bisedojnë. Ia dorëzon. Pak më vonë në lokal kamarieri që ne e pamë aty del. Aty afër lokalit është një market dhe ka marrë një qese. Këtu ka ardhur djali i biznesmenit Gentian Gjoka dhe pastaj vjen edhe bashkëshortja. Kamarieri i solli qesen. Në atë qese u gjetën para. I merr paratë dhe i fut në qese. Këtu vjen më vonë bashkëshortja e biznesmenit edhe djali i tij. Largohen, çohet në këmbë ai dhe efektivi i RENEA-s. Futet në brendësi të lokalit, ja ku e ka qesen dhe pastaj largohet me qesen në dorë.

Në momentin e parë u lidh me ngjarjen që kishte të bënte me vrasjen e Mimoza Pajës në Don Bosko dhe në konfliktin mes grupit të Ervis Martinajt dhe kundërshtarëve të tij. Pra dyshimi në fillim ka qenë për lidhjet me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në kryeqytet. Hetimi i Prokurorisë së Tiranës, në fakt dhe atë që pashë në kërkesën për masën e sigurisë gjë që u miratua nga gjykata, unë nuk e di nëse ka qenë në mbikëqyrjen nga SPAK-u pse është ndërhyrë, nëse nuk ka qenë në mbikëqyrje nga SPAK-u atëherë jemi në situatën tjetër. Pse ky informacion doli në fillim në lidhje me këtë histori sepse të nesërmen e kësaj ngjarje, pra i arrestimit, sepse ky ishte një dëm i madh për repartin special… të të kapet shefi i stërvitjes i repartit RENEA që është njësia elitë dhe Erzeni e di çfarë impakti ka.

Ka një akt noterial që e ka lëshuar i biri i biznesmenit dhe ka thënë që këto para i kam tërhequr dhe ka dorëzuar edhe statement-in e bankës. Skena në vetvete kur i shikon dhe mënyra si u pasqyrua ditën e parë se prandaj ndodh ajo që tha Ylli. Kur ndodh një ngjarje sot ne flasim sot dhe ngaqë ndodh ngjarje tjetër ajo mbivendoset”, tha Hoxha.

Gjykata e Tiranës e ka lënë në burg ish-shefin e repartit të stërvitjes RENEA, Altin Morina. Para gjykatës, ai ka thënë se paratë i ka marrë hua tek një biznesmen për shkak të një problemi personal dhe se nuk e kanë burimin nga aktiviteti kriminal./tvklan.al

Foto të rralla online!