Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Arbjan Mazniku: “Besoj se një ligj i tillë do të ishte rrënjësisht dhe thellësisht jo kushtetues. Deklarimi i pasurive nga funksionarët publikë, lidhet ngushtë me dy fakte, e para me të qenit i votuar i zgjedhur në atë pozicion dhe e dyta me administrimin e fondeve publike dhe pikërisht nga kjo lind dhe detyrimi për këta funksionarë, ose për njerëz të tjerë që punojnë në sektorin shtetëror, për të deklaruar të ardhurat e tyre, për të siguruar që të ardhurat e tyre nuk kanë një konflikt me administrimin publik të fondeve apo pozicioneve të tyre dhe nuk lidhen në asnjë mënyrë me sasinë e influencës, që një person, një organizatë mund të ushtrojë. Nëse ky ligj do të kalonte, besoj se jo vetëm lëvizja Mjaft, por dhe një sërë organizatash të tjera do ta sfidonin këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, si një ligj jo kushtetues.”

Elsa Ballauri: “Kemi të bëjmë me një moskuptim të drejtë mendoj unë, në qoftë se i cilësohen këto grupe si të tilla, të pavarura, gjë që për mendimin tim është shumë gjë e mirë, nuk është absolutisht e keqe dhe që kanë influencë. Po kështu dhe kjo është e mirë, mesa duket nga pavarësia dhe nga influenca e këtyre OJQ-ve, qoftë dhe mediave, të cilat ata diskutuan, mesa duket pikërisht kjo i tremb qeveritarët e të dy palëve, ose do të thosha, partiakët e të gjitha palëve, sepse është kjo mesa duket që i shqetëson ata, për frikën e një alternative të tretë e cila mund të dalë që nesër, pasnesër mund të zërë edhe një pozicion në pushtet.”

Pirro Misha: “Në radhë të parë mendoj, në qoftë se një ligj bëhet në një frymën e dyshimit që ka politika ndaj shoqërisë civile, nga Organizatat Jo Fitimprurëse, meqenëse i shef si një kërcënim, apo një organizate që marrin një pjesë të hapësirës të ndikimit nga opinioni publik, mendoj që është krejt e gabuar. Po në anën tjetër unë mendoj që ka ardhur koha OJF duhet të kenë transparencë për burimet e tyre financiare dhe për mënyrën se si i shpenzojnë këto burime.”

Sokol Berberi: “Ajo që më shqetëson është devijimi i vëmendjes nga pushteti aty ku është konflikti që krijohet, ku është buxheti i shtetit, është mënyra e ushtrimit të pushtetit, është mënyra e nxjerrjes së akteve dhe të gjitha këto që mund të shkaktohen në këtë konflikt, pra këtu është vëmendja. Këtu bëhet fjalë për një kontratë që reflektohet me zgjedhësit dhe të zgjedhurit me deputetët dhe reflektohet në gjithë administratën shtetërore, pra kjo është marrëdhënia që është kryesore. Mesa duket nga iniciatori ka një paqartësi përsa i përket çështjes së deklarimit të pasurive, sepse në relacionin që ai ka paraqitur thotë që deklarimi i pasurive është një hap në drejtimin e duhur, ku të gjithë shtetasit duhet të deklarojnë pasurinë dhe kjo është një praktikë në të gjitha vendet perëndimore siç thuhet në relacion, por faktikisht unë mendojë që nuk është ky koncepti, nuk është e vërtetë që deklarimi i pasurive shtrihet në të gjithë shtetasit në vendet perëndimore.”

Blendi Fevziu: “Pas modeleve perëndimore, sipas logjikës normale të gjërave, deklarimin e e pasurive duhet ta bëjnë ata njerëz që merren me prokurimet direkt, ose indirekt, ose si të thuash me administrimin e fondeve publike dhe është krejtësisht normale që njerëz që administrojnë fondet publike të bëjnë në mënyrë transparente deklarimin e pasurisë së tyre, për të shmangur çdo lloj keqkuptimi, ose çdo lloj abuzimi që mund të vijë në këtë drejtim. Në qoftë se bëhet fjalë për kontrollin e OJQ-ve, gazetarëve, mediave, ose të tjera, ka mekanizma të tjerë, të cilat mund të bëjnë kontrollin financiar, siç janë tatimet, taksat, kontrollet e brendshme të OJQ-ve, të cilët janë të detyrueshme, organizatat mëmë të një pjese të madhe të OJQ shqiptare, të vilat kontrollojnë buxhetet që ato japin, transparencën e tyre dhe administrimin e tyre, pra ka mekanizma të ndryshëm, nuk mund të kesh mbivendosje të disa herë, pra të krijosh struktura të mbi struktura, për të kontrolluar një gjë që është lehtësisht dhe thjeshtësisht e kontrollueshme. Ka një lloj keqkuptimi, absolut, që vjen nga barazitizmi i kohës së komunizmit, që njerëzit mendojnë që të gjithë duhet të jenë të barabartë, por duhet të kemi parasysh që barazia nuk ekziston më.”/tvklan.al