Opozita do të mbështesë kandidaturën e Presidentit Moisiu për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit nëse do të gëzojë pëlqimin e gjerë politik, por e cilëson lojë gjetjen e një emri të ri nga opozita e emëruar. Ky është qëndrimi i mbajtur nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha. Sipas tij, ka ekzistuar një marrëveshje në qershor të vitit 2002 ku dy forcat e mëdha politike ranë dakord për zgjedhjen e presidentit konsensual dhe në një pikë të saj cilësohej se kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet t’i takonte opozitës. Por, sipas Berishës, kjo marrëveshje është prishur. Kryedemokrati pranon se Partia Demokratike nuk do të shpallë asnjë emër për kreun e ri.

Sali Berisha: “Me opozitë të emëruar është një akt i turpshëm, është një shpikje e turpshme primitive pseudopluraliste dhe nuk dua të luaj me këtë. I kam bërë të qartë se marrëveshja, me të cilën zotëria e tij është zgjedhur president, e theksoj këtu se është shumë e thjeshtë t’i injorosh aktet, por ato të ndjekin mbrapa, marrëveshja, me të cilën është bërë president zotëria e tij, ka patur një pikë për kontrollin e shtetit e cila nuk u respektua prandaj nuk ekziston më ajo marrëveshje. Por hiqet dorë nga marrëveshja, e cila u gris nga Fatos Nano pikë për pikë. Nuk kemi pse rikthejmë fantazma të panevojshme në politikë. Në qoftë se Presidenti, jashtë lojës politike sjell një kandidaturë që përputhet me kriteret ligjore, unë gjykoj se ajo kandidaturë duhet votuar.”

Në qendër të konferencës së shtypit Berisha ka pasur si objekt diskutimi marrëveshjen tip të firmosur nga ERT-ja.

Sali Berisha: “Një thirrje ndërkombëtare që hyn në ALBtelecom, për këtë ALBtelecom-i merr 9.2 lek. Për kalimin e kësaj thirrje nga ALBtelecom-i në rrjetin mobile, ALBtelecom-i i paguan rrjetit mobile 22 lek, i paguan pra 12.4 lek më shumë nga çmerr për impulsin e tranzituar nga rrjeti ndërkombëtar. ALBtelecom-i duke llogaritur vitin 2003 dhe tremujorin e parë të vitit 2004 me ekzistuesen fitonte 44 milionë lek në muaj ndërsa me marrëveshjen e re ALBtelecom-i humbet 399 milionë lek në muaj ose afërsisht 4 milionë dollarë.” /tvklan.al