Qëndra e ankandeve për shijtjen e aseteve dhe pasurive të firmave piramidale do të paditet në prokurori nga një pronar i truallit të fabrikës së drithit në Vlore. Siperfaqa prej më shumë se 6 mijë metrash katrorë u privatizua nga firma piramidale “Vefa” në vitin 96. Pronari i ligjshëm i truallit, Luan Toto u bë aksioner i më shumë se 30% të aksioneve, kjo pasuri u administrua nga shteti si të gjitha asetet e tjera të firmave piramidale pas kolapsit të tyre dhe ekspertët e vlerësuan atë me shumën prej 1 miliardë e 70 milionë lekë të vjetra.

Pronari i truallit i vetmi aksioner i SH.A drithit Vlorë, pati të drejtën e parablerjes që ja lejonte edhe vendimi i gjykatës së Tiranës. Administratorët e “Vefa” caktuan 6 Dhjetorin e vitit të kaluar si datën e ankandit, ku u paraqit pronari i truallit Luan Toto, i cili është edhe aksioner. Ankandi ku ai u paraqit i vetëm shtyhet për në 31 Janar, por në këtë datë paraqiten edhe 3 konkurentë të tjerë me prokurë. Pronari Luan Toto pretendon se qëndra e ankandeve ka shkelur ligjin, së pari duke shpallur ankandin në një kohë që ai kishte të drejtën e parablerjes dhe së dyti sepse pas shtyerjes së datës parqiten edhe 3 konkurentë të tjerë jo aksioner të cilët pretendojnë të blejnë këtë pasuri.

Gjykata e rrethit të Vlorës e shpall të pavlefshëm këtë ankand pas padisë që ngriti pronari, por qëndra e ankandeve ka bllokuar çdo procedurë të shitjes së pasurisë pasi këtë vendim do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit të po këtij rrethi. Gjatë kësaj kohe pronari i ligjshëm i SH.A drithi në Vlorë, i bindur se qëndra e ankandeve dhe administratorët e “Vefa” po shkelin ligjin, do i drejtohet me një kallëzim penal prokurorisë.