#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Të bien fekale e peceta higjienike në turi”, punonjësi i kanalizimeve: Ka raste të mbulon uji, shokët më kanë shpëtuar jetën

Rubrika nga  “E diela shqiptare” në Tv Klan,  “Pak vëmendje” këtë herë i është drejtuar punonjësve të kanalizimeve të qytetit. Moderatori Gjebrea ndodhet në “Bulevardin e Ri” ku takon Petritin dhe Zeqirin, të cilët janë në kulmin e punës duke kontrolluar një pusetë. Ata nisin të shpjegojnë se në çfarë konsiston puna e tyre e përditshme, por edhe vështirësitë që përballen, papastërtitë, mbeturinat e deri edhe kërcënimin e jetës.

Petrit: Në këto kolektorët e mëdhenj gjejmë këto sende se janë të mëdha se këtu ecën dhe në këmbë se është kolektor i madh ky, kurse nëpër abonentë që punojmë, ka papastërtira sa të duash. Lines, letra, qese, yndyrna, lecka, mbathje, ça të duash ti.

Ardit Gjebrea: Nga vijnë?

Petrit: Nga banorët.

Ardit Gjebrea: Po ku i hedhin ata?

Petrit: Në banjë.

Ardit Gjebrea: Ah,në tualet. Hedhin mbathje në tualet?

Petrit: Çfarë s’gjejmë. Letra.

Ardit Gjebrea: Letrën higjienike e di se ndonjëherë e bëjmë edhe ne atë gabim, ndjesë.

Petrit: Këto dalin shumë. Ka pasur rast kur ne futemi jo kaq që të zhbllokojmë, ne i themi tuba këlysha atyre, ne rrijmë duke punuar se rrimë gjysmë në pusetë ose plot, ka pasur raste që na ka rënë edhe në fytyrë se është  bllokuar për shembull një pusetë tjetër atje.

Ardit Gjebrea: Po.

Petrit: Dhe ti do futesh këtu se ke tubin që ta zhbllokosh dhe fut telin. Mirëpo nuk e ndien dot kur   zhbllokohet dhe të vjen me forcë, të vjen në turi. Na ka rënë edhe në turi.

Ardit Gjebrea: Çfarë është ajo që  të bie në turi?

Petrit: Fekale, zhbllokimi, lines, mbeturina. Pse njëherë thua ti? Në shumicën e rasteve. Ka raste që të mbulon uji sepse kjo historia është kështu, kur zhbllokon ka raste që vjen ujë shumë, vjen uji që nga bulevardi dhe ka prurje shumë, ti nuk arrin dot të dalësh jashtë. Mua më ka mbuluar edhe deri këtu (tregon mjekrën).

Ardit Gjebrea: Uji?

Petrit: Po. Deri këtu dhe kam dalë. Ose më kanë shpëtuar shokët, më kanë ngritur, më kanë shpëtuar jetën sepse edhe mund të vdesësh.

I veshur si punonjës kanalizimesh, Ardit Gjebrea hyn në pusetë

Ardit Gjebrea, moderatori  i programit “E diela shqiptare” në Tv Klan iu bashkua skuadrës së punonjësve  të kanalizimeve në rubrikën “Pak vëmendje”. Pasi dëgjoi sfidat e tyre të përditshme, ‘zhytjen’ në pusetat e thella, përballjen me aromat e pakëndshme dhe mbeturinat e të gjitha llojeve, Gjebrea vendosi të zbriste vetë në pusetë.

Dy punonjësit, Petriti dhe Zeqiri i dhanë veshjet e nevojshme, kokoren, e siguruan me rripa sipas protokollit dhe e lejuan që të zbriste. E para gjë që moderatori vuri re teksa hyri në hapësirën e ngushtë, ishte aroma e tmerrshme.

Me humor, punonjësit treguan se kanë punuar edhe gjatë pandemisë së koronavirusit, ku shpesh qytetarët iu thoshin se do sëmureshin. Por prej këtyre kushteve ekstreme që ata hasin çdo ditë, ata thonë se nuk janë sëmurur nga Covid-19 për shkak të forcimit të imunitetit./tvklan.al