Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas kundërshtimeve të bëra nga kryeministri Nano, si dhe Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Pandeli Majko ka theksuar dhe njëherë qëndrimin e tij për pjesëmarrjen e trupave paqeruajtëse në Maqedoni.

Pandeli Majko:- “Ne duam të jemi pjesë e misionit “Konkordia”, një mision paqeruajtës i BE në Maqedoni dhe shpreh një dëshirë, jo të tashme, por siç e thashë, që nga lindja e shtetit Maqedonas, të Shqipërisë, për të pasur një Maqedoni të stabilizuar. Në qoftë se do të kishte një vendim pozitiv, për pjesëmarrjen e trupave paqeruajtëse në misionin “Konkordia”, ky do të ishte një lajm mjaft i mirë për rajonin, një lajm mjaft relaksues dhe këtu nuk bëhet fjalë për të pasur, për të diskutuar numrin e anëtarëve, sado që të ishte ai, qoftë edhe simbolik, mendoj se do të ishte një lajm mjaft i mirë për të gjithë rajonin, jo vetëm për Maqedoninë”.

Po ashtu Majko ka theksuar, se interpretimet e gabuara të kësaj iniciative për ndryshime kufijsh, vijnë nga struktura që orientojnë destabilitetin e rajonit, duke e pasur fjalën këtu për AKSH, si dhe qarqe serbe.

Pandeli Majko:- “Këto iniciativa gjithsesi vijnë në një lloj kondrapedali, nëse mund të shprehemi kështu, me zëra për ndryshime kufijsh, që sigurisht janë të identifikuara përgjithësisht nga interneti i AKSH, por dhe nga disa zyra, të cilat u dihet shumë mirë adresa, që ndodhen në Beograd. Pra aktualisht, kemi këta dy faktorë që kërkojnë le të themi një orientim destabiliteti në Shqipëri. Serbia apo le të themi një pjesë e politikanëve të Serbisë dhe disa struktura anonime, që kanë tani për tani të dukshme vetëm internetin, që quhet AKSH, po orientojnë pikërisht këtë dëshirë që është siç e thashë dhe pak më parë, krejtësisht kundër rrjedhës normale të situatave në rajon”.

Sipas informacioneve të fundit dhe partitë shqiptare të Maqedonisë, e kanë mirëpritur idenë e Ministrit të Mbrojtjes Majko, për dërgimin e trupave paqeruajtëse nga Shqipëria në Maqedoni./tvklan.al