Së shpejti do të niseni në Kosovë. Këto ishin fjalët e Kryeministri Shqiptar Pandeli Majko i shoqëruar nga Ambasadorja Amerikane Mariza Lino dhe Ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga, nga ku ka parë nga afër ambjentet ku jetojnë shqiptarët e ardhur nga Kosova.

Majko ka këshilluar për vendosjen e rregullave të rrepta higjenike për të shmangur përhapjen e epidemive. Ai është interesuar për shëndetin e fëmijëve, qendrën mjekësore e mbi të gjitha për furnizimin me ushqime. Më pas Kryeministri është takuar me të ardhurit nga Kosova.

Pandeli Majko: Sigurisht që po përpiqemi të realizojmë së bashku të gjithë si ekzekutiv dhe si pushtet lokal, në radhë të parë si shqiptarë atë që është detyra jonë t’a bëjmë. Tek shikon tek fëmijët, tek fëmijët që vijnë nga Kosova është tepër e vështirë për të dhënë një opinion mbi atë se sa kemi realizuar mbi detyrimin si Qeveri Shqiptare. Por mendoj që detyrimi më i madh i joni aktualisht shtrohet në dy plane, qoftë për kujdesin e atyre që kanë kaluar kufirin të traumatizuar nga Kosova në Shqipëri, por në bashkëpunimin tonë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare situatës në Kosovë. Unë jam optimist. Kjo është shtëpia e tyre sado i madh të jetë fluksi ata do të rrinë këtu. Kemi pasur kërkesa që t’i kalojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, përgjigja jonë ka qënë Jo, ata e kanë vendin këtu, kjo është shtëpia e tyre. Çadrat janë të përkohëshme ju thashë./tvklan.al

Gazetare : Ornela Bego