Kanë shkëlqyer në leksionet masive të gjuhës italiane përpara dyerve të ambasadës. Pavarsisht nga kjo, ambasada nuk ka ndryshuar mendim në lidhje me njohuritë e gjuhës italiane të të rinjve që kërkojnë vizë për qëllime studimi në Itali. Protestat kanë shërbyer veçse për të ulur me 10% fluksin e refuzimit të vizave për ditën e djeshme. Të rinjtë kanë vendosur të vazhdojnë protestën deri në përgjigje më realiste se mungesa e njohurive të konfirmuara po nga institucione italiane në shumicën e rasteve.

“Asnjë lloj pronocimi nga ambasada, thjesht dje shkuan përfaqësia te Ministria e Jashtme dhe na janë përgjigjur që do të reflektojnë, por pozitiv a negativ, thjesht do të reflektojnë. Koha po na ikën se në datën 1 duhemi në Itali, kemi provimin atje dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhë.”

“Duam të drejtën dhe do t’i shkojmë deri në fund kësaj.”

Gazetarja: “Pse ju është refuzuar viza?”

“Për mosnjohjen e gjuhës, jemi të gjithë njësoj edhe nuk na duket normale, të gjithë 200 vetë, 300 vetë nuk dinë gjuhën?!”

Mbi 200 të rinjve u janë refuzuar vizat gjatë javëve të fundit, ndërkohë që historia përsëritet prej disa vitesh. Ambasada, por as Ministria e Jashtme nuk pranojnë të bëjnë asnjë koment. Të rinjtë që protestojnë përpara dyerve të ambasadës nuk pengohen prej universiteteve italiane, ku duhet të paraqiten për konkurse, por vetëm prej mungesës së një vize. /tvklan.al