Parashikohej të ishte fitues i medaljes së artë olimpike, por ëndrra u ndërpre në mes. Jannik Sinner nuk do të marrë pjesë në Olimpiadën e Parisit. Numri 1 i Botës ka vendosur të tërhiqet nga kompeticioni për shkak të komplikacioneve shëndetësore.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, tenisti italian ka njoftuar se temperatura e lartë shkaktuar nga bajamet ka bërë që ai të largohet nga Parisi. Fituesi i Grand Slam-it të Australian Open i pari në karrierën e tij dhe arritja në gjysmëfinalen e French Open ishin sinjale që 22-vjeçari do tentonte zonën e medaljeve në Olimpiadën e Parisit.

Tërheqja e italianit krijon liri për numrin 2 të Botës, Novak Gjokoviç, me fituesin e 24 titujve Grand Slam që favorizohet për të marrë medaljen e artë. Sinner do të luante edhe në garën dyshe për meshkuj së bashku me Lorenzo Musettin, teksa zëvendësues i tij do të jetë një prej kontigjentit të tenistëve italian.

Andrea Vavassori shihet si favorit për të marrë vendin e Sinner, pasi afati i fundit i regjistrimit të lojtarëve të tenisit në Olimpiadën e Parisit ishte 8 Korriku. Lojërat Olimpike mbahen nga 26 Korriku deri më 11 Gusht.

Klan News