Partia socialiste reagon ndaj deklaratës së aleancisiti Preç Zogaj. Sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi i kërkon opozitës që të distancohet nga mendimi i shprehur nga aleati i saj.
Gramoz Ruçi: “Përshtypja ime është që zoti Zogaj është një politikan i urtë, një njeri letrash dhe fjale, po për çudinë time në vënd të dëgjoja urtësi dhe mënçuri dëgjova fjalën revoltë, dëgjova fjalën forcë për të marrë pushtetin apo për të rrëzuar nga pushteti qeverinë aktuale. Në demokraci pushteti merret me vota nuk merret as me revolta dhe as me topa. Shekulli i ri që kemi filluar është shekulli i mëndjes dhe i demokracisë nuk është shekulli i forcës prandaja unë nuk e di nëse mendimi i zotit Zogaj është mendimi i opozitës shqiptare, i takon asaj që të distancohet.”
Preç Zogaj tha se deklarata e dy ditëve më parë qëndron dhe se mazhoranca duhet të reflektojë.
Preç Zogaj: “Këta kujtojnë revoltat, i ngatërrojnë me aktet terroriste. Hedhja e shtyllave është akt terrorist distancohem, kurse revoltat popullore janë revolta, janë një shkallë më lart sesa protestat dhe unë duke bërë deklaratën e mësipërme kam dashur që të sensibilizoj edhe mazhorancën që të mos rrijë indiferente. Jam vërtet njeri i letrave, por kjo s’ka të bëjë “e pur si muove” thoshte Galileu, e detyruan atë të thoshte “mirë Toka s’rrotullohet, megjithatë rrotullohet”, tha apo jo.”
Një nga arsyet që protestat paqësore mund të shndërrohen në revoltë popullore, sipas deputetit Zogaj, janë dhe zgjedhjet e lira duke përmendur këtu zhvillimet në Gjerogji dhe Tajvan, por sekretari i përgjithshëm socialist Ruçi tha se për këtë po punohet dhe është pikërisht opozita ajo që nuk ulet seriozisht për ndryshimet e nevojshme në kodin zgjedhor.
Gramoz Ruçi: “Nuk do të mendoja që është e domosdoshme një komision bipartizan përsëri pasi nuk do të mendoja që kodi elektoral ka nevojë për përmbysje. Ai ka nevojë për disa përmirsime. Në kto kushte do të ishte mjaft mirë që specialistë jo partiakë, ekspertë shqiptarë dhe ata ndërkombtarë dhe komisioni i Venecias, që ka shprehur të njëjtën vullnet të mirë, të japën kontributet e tyre që të shërbejnë si një bazë e shëndoshë për diskutimet dhe vendimmarrjet që do të marrë parlamenti shqiptar. /tvklan.al