Pas 48 orësh kërkimesh është vetëdorëzuar mbrëmjen e se mërkurës në polici Azgan Mërnica, autori i vrasjes së policit Novruz Cenalia në fshatin Baltëz të Fierit.

Autori 23-vjeçar mësohet se ka pranuar të dorëzohet në polici pas negociatave të kryera nga babai dhe daja i tij, së bashku me forcat speciale të RENEA-s.

Ai dyshohej se fshihej në fshatin Dërmenas, aty ku policia ushtronte dhe kontrolle. Familjarët e kanë dorëzuar me makinë pranë autoriteteve.

Ai sipas policisë ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Azgan Mërnica qëlloi të hënën e shkuar efektivin Cenalia pas një konflikti të çasti pas shkëmbimit ne rrugë të makinave. Autori i krimit shoqërohej me të emën në momentin e ngjarjes.

Më pas ai braktisi makinën me të cilën lëvizte dhe u largua në këmbe me armën tip pistoletë me të cilën qëlloi për vdekje Cenalian.

Ndërsa të mërkurën, qindra efektivë policisë së Fierit i kanë dhënë lamtumirën e fundit 28-vjeçarit Novruz Cenalia.

Dhimbjes së familjarëve të efektivit të “Shqiponjave” iu bashkuan dhe krerët më të lartë të Policisë së Shtetit të shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Tv Klan