Ka marrë 3 ditë kohë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama për të komentuar rezultatin e forcës politike që drejton në zgjedhjet për komunën e Kasharit. Një reagim i nxitur gjithsesi nga ato që Rama i cilësoi konkluzione jo serioze që pasuan përballjen elektorale, ku kandidati socialist u rendit në vend të katërt.

Për kryesocialistin Kashari nuk mund të jetë kurrsesi një test elektoral, aq më pak të krahasohet me zgjedhjet e përgjithshme 2009.

Edi Rama: “Unë kam keqardhje për pompozitetin e kotë, me të cilin kryeministri Sali Berisha dhe miku ynë Ilir Meta, rendën të nxjerrin konkluzione triumfale nga një garë më shumë se sa modeste, e zhvilluar krejt më periferi të jetës politike të vendit, madje qoftë kryeministri, qoftë ish-kryeministri u ngutën të lajnë me Partinë Socialiste hesapet, që pa asnjë dyshim do t’i bëjmë, por në kohën dhe në vendin e duhur, në vitin 2009, në të gjithë Shqipërinë.”

Në deklarimin e tij, Rama vlerësoi nevojën për reformë zgjedhore. Me Kasharin selia rozë duket se ka mbyllur kapitullin e vjetër të zgjedhjeve jo demokratike.

Edi Rama: “Ndërkohë le të bëjmë gati sistemin e ri zgjedhor, që do të hyjë në funksion ën vitin 2009, duke e mbyllur me Kasharin kapitullin e shëmtuar të sistemit të vjetër që edhe të dielën në Kashar nxori nga kutitë më shuam vota, sesa numri i votuesve, shpërndau afro 500 certifikata brenda ditës së votimit, pa llogaritur që i pruri certifikatat nga një komunë tjetër, derdhi rrugëve e kafeneve të fshatit shpurën e ministrave bashkë me shpurat e tyre dhe hodhi në qarkullim  para nën dorë për blerje masive votash.”

Për herë të parë Rama komenton zgjedhjet e pjesshme në komunën e Kasharit. Fitorja në këtë komunë u takoi demokratëve, kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim u rendit i dyti, ndërsa më pak vota fitoi kandidati i Partisë Socialiste, i cili u pozicionua i katërti pas kandidatit të pavarur./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Enver Shehu