Kashari është përfshirë nga ethet e zgjedhjeve. Komuna e cila vuajti mungesën prej 8 muajsh të kreut të saj arrestuar në dhjetor të vitit 2007 për shpërdorim detyre, tashmë pritet të zgjedhë një kryetar të ri mes 4 kandidatëve në konkurrim. Ajo çfarë bie në sy është fakti se në këto zgjedhje të pjesshme, partitë në opozitë do të kenë kundërshtarët edhe njëra-tjetrën, krahas Partisë Demokratike apo kandidatit të pavarur.

Kështu për PD kandidon Besnik Fuçia, për PS Sinan Egra, Alfred Bakalli nën siglën e koalicionit për Integrim, ndërsa Rustem Murati si kandidat i pavarur. Gjithçka duket të jetë zhvilluar normalisht, megjithatë nuk kanë munguar pretendimet e partive politike për pa rregullsi. Përfaqësuesit e PS thanë për Klan, se në njësinë bashkiake janë shpërndarë certifikata edhe për qytetarë që nuk dispononin një dokument identifikimi.

Por përfaqësuesit e dy partive kryesore në KQZV e Kasharit, thonë për Klan se asnjë subjekt politik nuk ka raportuar asnjë ankimim me shkrim pranë këtij komisioni.

“Asnjë nga përfaqësuesit të partive politike nuk kanë raportuar me shkrim pranë KQZV-së Kashar për ndonjë incident që mund të ketë ndodh”.

“Grupet e numërimit që janë propozuar nga subjektet politike Komisoni Zonal Qendrorë, i kemi rishiku, i kemi bo vendimet dhe janë të gatshëm për procesin e numërimit”.

Në Kashar janë ngritur 18 qendra votimi për 13.371 zgjedhës. Deri në orën 17:00 numri i votuesve mbërriti në 35%, një përqindje kjo e ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2007./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Metlin Kepi

Montazh: Renis Zela