Në bashkinë e Himarës është duke u zbatuar projekti “Furnizimi me ujë i zonave rurale IV” i cili ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, Prefektin e qarkut Vlorë, Vangjel Tavo, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e impianti të trajtimit të ujërave të ndotura.

“Do të bëhet një punë shumë e mirë me përfundimin e lotit 3 të “Programit IV”. Ne do të vazhdojmë pasi bëhet fjalë që do të trajtohet e gjithë pjesa e jugut. “Programi IV” është një program kompleks. Parashikohet që të ketë ndërhyrje edhe në zonat e tjera, siç është pjesa e Orikumit, pjesa e Dukatit, për të cilën duhet të jemi të përgatitur tashmë që do të marrë një zhvillim tjetër për shkak të tunelit. Në fazën e parë, kapaciteti i impiantit është për 16 mijë banorë, ndërkohë që në fazën e dytë shkon deri në 24 mijë banorë.”

Ministrja e turizmit Kumbaro theksoi se kjo infrastrukturë i përgjigjet jo vetëm kapaciteteve aktuale, por edhe zhvillimit që pritet të ketë zona në të ardhmen.

“Infrastruktura që po ndërtohet sot nuk merr fund me kaq, por ka parashikuar projektin dhe për vazhdimin duke pasur parasysh projeksionin e rritjes së numrit të hoteleve. Në Këshillin Kombëtar të Territorit vazhdojmë të marrim propozime nga investitorë privat për të shtuar njësitë akomoduese që do të thotë projeksioni i loteve të tjera në vazhdim do t’i përgjigjet atij trendi”.

Sezoni turistik i këtij viti ka nisur shumë më herët në jugun e vendit, ndërsa në javët e ardhshme pritet të arrijë pikun fluksi i vizitorëve. Prefekti Tavo tha se e gjithë zona është e përgatitur për t’ju përgjigjur numrit të vizitorëve në rritje kjo edhe falë hapjes së tunelit të Llogarasë i cili shkurton kohën e udhëtimit në më pak se 10 minuta.

Klan News