Përmbytje katastrofike godasin Ballkanin. Kështu e cilësojnë mediat e huaja si Euronews dhe Reuters situatën e ditëve të fundit që ka përfshirë Shqipërinë.

Sipas Euronews, në këtë vend shkrirja e borës dhe rreshjet e shiut kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati. Në një kohë që 700 forca të ushtrisë janë angazhuar në evakuiimin e banorëve të prekur nga përmbytjet, vendet e Bashkimit Europian i kanë ardhur në ndihmë qeverisë shqiptare shkruan Euronews.

Por në një situatë të ngjashme janë edhe vendet e rajonit. Një panoramë përmbytjesh shihet edhe në pjesën qëndrore të Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës, ku rreshjet e shiut nuk kanë të ndalur prej ditësh.

Meteorologët parashikojnë se një situatë e tillë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Në Kroaci, tejmbushja e liqenit artificial Kosinj ka shkaktar përmbytje në disa zona.

Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, orë pas ore nivelit i ujit rritet me 8 centimetra. Autoritetet kanë evakuuar banorët në këtë zonë, në një kohë që më shumë se 150 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.

Në Bosnje, situata paraqitet edhe më dramatike në pjesën qendrore dhe jugore të vendit, ku rreshjet e shiut kanë shkaktuar një situatë të cilën autoritetet e kanë cilësuar një katastrofë.

Edhe pse është urdhëruar evakuimi, dhjetëra banorë nuk kanë pranuar të largohen pasi kanë frikë se mos humbasin pronat e tyre.

Tv Klan