Gjykata Civile e Tiranës konfirmoi këtë të enjte urdhrat e mbrojtjes dhënë për Princ Lekën dhe Elia Zaharian, teksa rrëzoi kërkesën e babait të kësaj të fundit.

Vendimi detyron çiftin mbretëror të qëndrojnë 5 metra larg njëri-tjetrit, teksa Princ Leka mund të takojë vajzën e tij të vogël vetëm në prani të dados.

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës njoftoi nisjen e hetimeve për Veprën Penale ‘Dhunë në Familje’ pas denoncimit të Princ Lekës ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, organi i akuzës thotë se çështjen e ka marrë në dorë prokurori përkatës.

Prokuroria thotë se ka marrë si provë nga policia edhe videon që tashmë është publikuar në media.

Përplasja mes Princit leka dhe ish-bashkëshortes së tij ka ndodhur në 5 Mars.

Të dyja palët i janë drejtuar komisariatit numër 1 ku kanë bërë kallëzim ndaj njëri-tjetrit për dhunë.

Policia ka urdhëruar një akt ekspertim mjekoligjor për të parë nëse kanë shenja dhune dhe të çfarë kategorie janë.

Elia Zaharia dhe Princ Leka, i dhanë fund pak muaj më parë martesës së tyre disavjeçare dhe ndodhen në proces divorci.

Tv Klan