LSDM: Ministri i brendshëm po cënon sigurinë e qytetarëve

Socialdemokratët kanë adresuar kritika ndaj Ministrit teknik për Punë të Brendshme, i cili në Qeverinë teknike është nga radhët e VMRO-DPMNE-së, se po cënon sigurinë e qytetarëve.

Siç thonë nga LSDM-ja, Ministri Çulev me anë të një telegrami ka shfuqizuar urdhrat për detyrat e policisë, duke shkaktuar mes tjerash edhe cënimin e sigurisë në  ambasadat e disa vendeve.

 “Me veprimet e këtilla të papërgjegjshme dhe të jashtëligjshme, Ministri Çulev rrezikon sigurinë e kufijve, përfaqësuesve më të lartë të shtetit, si dhe ambasadat në vendin tonë , respektivisht cënon situatën e përgjithshme të sigurisë në vend”

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se LSDM-ja ka frikë nga profesionalizimi i MPB-së, ku në këtë mënyrë do të dalin të “palarat” e tyre në shesh.

 “Zaevi dhe Spasovski kanë frikë nga ndryshimet ligjore në MPB. Detyrën e vetme që kanë kuadrot e tyre në këtë ministri është të mbrojnë krimin dhe të pengojnë profesionalizimin e MPB-së. Ata tashmë nuk mund të mbështeten në shërbimet e personave të inkriminuar e të dyshuar në rastin “Zhvatja’

Në Maqedoninë e Veriut kohëve të fundit, në rritje e sipër janë përplasjet mes pozitës e opozitës, si në kampin maqedonas po ashtu edhe në atë shqiptar.Profesori Universitar dhe analisti politik Sefer Tahiri vlerëson se “hendeku” për një bashkëpunim mes opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare paraqitet nga pozicionimet e VMRO-DPMNE-së ndaj Marrëveshjeve me Greqinë e Bullgarinë  si dhe ndaj Ligjit për Gjuhën Shqipe.

 “Agjendat politike të opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase janë diametralisht të kundërta dhe për momentin nuk shoh ndonjë pikë të përbashkët që do t`i sublimonte këto agjenda. Flas për periudhën parazgjedhore. Pas zgjedhjeve normalisht të gjitha opsionet janë të hapura”

Që nga formimi i Qeverisë teknike, nuk kanë pushuar as edhe përplasjet mes Ministrave e Zv/Ministrave që vijnë nga dy taboret politike, përplasje këto që kanë kaluar edhe në akuza, etiketime e fyerje.

Ndryshe, detyra kryesore e Qeverisë së re teknike është të organizojë zgjedhje të lira e demokratike. 

Tv Klan