Biznesmeni shqiptaro-amerikan Petro Gjikuria është kandidati i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 4 Gushtit.

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut njoftoi se në bashkëpunim me Bashkimin Demokratik të Minoritetit Etnik Grek “OMONIA” dhe pas konsultimesh intensive me komunitetet përbërëse të Bashkisë Himarë, u propozoi Partive Politike opozitare aleate, që në zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Himarës të mbështesin kandidaturën e Petro Gjikurisë.

Kandidimin e konfirmoi edhe vetë Petro Gjikuria, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale kërkoi mbështetjen e banorëve të Himarës.

“Pasi mësova për shpalljen e zgjedhjeve vendore në datën 4 Gusht, mora vendimin të bëj një hap përpara për vendin, të shpall kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe të kërkoj nga partitë politike, nga shoqatat e ndryshme dhe nga çdo bashkëqytetar të mbështesë këtë kandidaturë dhe të ecim së bashku përpara për të nesërmen e Himarës”, shkruajti ai.

Gjikuria ka lindur në Himarë dhe prej vitesh ka ushtruar aktivitet në fushën kulinarisë dhe hotelerisë në Greqi dhe SHBA.

Përballë më 4 Gusht ai do të ketë kandidaturën e Vangjel Tavos, i cili përfaqëson në këto zgjedhje mazhorancën e majtë.

Zgjedhjet e parakohshme në Himarë u shpallën javën e shkuar nga Presidenti i Republikës, pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e Alfred Belerit, pasi është i dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Tv Klan