Pak orë pasi e uroi me anë të një telefonatë Vangjel Tavon për fitoren si kryetar i ri i bashkisë së Himarës, ashtu siç bëri të ditur vetë Tavo, kandidati i opozitës Petro Gjikuria ndryshoi qëndrim. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruajti se beteja për Himarën vazhdon.

Petro Gjikuria: Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët… Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon!

Kryebashkiaku i zgjedhur, Tavo, u shfaq i surprizuar nga ky qëndrim dhe në një postim në rrjetet sociale zbuloi edhe telefonatën e urimit.

Vangjel Tavo: Një shkëndijë më shumë e këtij gëzimi ishte edhe telefonata juaj e urimit. E vlerësova shumë dhe e pranova sinqerisht si një akt qytetarie dhe si sjellje e një njeriu me mendësi të hapur perëndimore… Por, pritshmëria ime e lartë ndaj teje zgjati vetëm pak e tani jam i keqardhur për reagimin tënd, a thua se Himara është një fushë betejash ku përballen ushtri armike dhe jo alternativa politike dhe qytetare, si në të gjithë Shqipërinë demokratike.

Tavo i përgjigjet edhe sa u përket pretendimeve të opozitës për kartat e identitetit të skaduara, duke theksuar se në mesin 6 mijë personave që mbeten pa votuar nuk janë vetëm të elektoratit të djathtë, por edhe mbështetësit e tij.

Ai ripërsërit ftesën ndaj Gjikurisë për të qenë nënkryetar i bashkisë, në të kundërt i thotë të mos shqetësohet për Himarën, pasi është në duar të sigurta.

Tv Klan