Një breshëri automatiku ka lënë të plagosur tre persona. Ngjarja ka ndodhur pranë banesës së F. D., të riut të marrë peng 10 ditë më parë. Sipas policisë, sulmi me armë ka ndodhur rreth mesnatës dhe tre të plagosurit, E. Sh., L. T. dhe E. Ç. ndodheshin në një makinë tip Benz me targa të Tiranës, kur janë qëlluar me breshëri. Autorët e ngjarjes janë larguar me shpejtësi, ndërsa njëri nga të plagosurit 23-vjeçari E. Sh. ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në reanimacion.

Policia ka bërë të ditur se po bën të mundur për zbardhjen e motivit të plagosjes. Ngjarja ka ndodhur përara shtëpisë së të riut të marrë peng ditë më parë nga një grup personash tashmë të arrestuar. Kjo ka bërë që policia kriminale e Komisariatit Nr.1 të fillojë hetimet në lidhje me këtë fakt, ndërsa menjëherë pas kësaj, banesa e D. është vënë në ruajtje të forcave të policisë.

Pritet fillimisht përmirësimi i gjendjes së të plagosurve të një nate më parë e më pas marrja në pyetje e tyre për të zbardhur nëse hapja zjarr përpara banesës së D. ka lidhje me historinë e tij të pengmarrjes. /tvklan.al