E kanë qëlluar me thikë në grykë dhe për pasojë rrezikon jetën një nga mjekët neurolog më të njohur në qytetin e Vlorës. Kosta Koçi ka marrë një goditje me thikë në grykë nga një person ende i pa identifikuar nga policia e Vlorës.

Gazetarja: “Pak minuta përpara, pikërisht këtu përpara ambulancës në qendër të qytetit të Vlorës, është plagosur me thikë një nga mjekët neurolog të njohur në qytet. Ai ndodhet tashmë në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal të Vlorës. Sipas burimeve nga policia, njoftimi paraprak vjen që Kosta ka dalë nga banesa e tij, i është drejtuar automjetit pasi një pacient e priste për ta çuar në shtëpi dhe në moment e ka takuar një person ende i pa identifikuar me të cilin ai është takuar dhe ky person i ka ngulur thikën”.

65-vjeçari Kosta Koçi, është çuar menjëherë në spital nga kolegët e tij të ambulancës qendrore dhe pas mbërritjes atje është futur menjëherë në sallën e operacionit. Mjekët shprehen mjaft pesimist për jetën mjekut neurolog, i cili ka humbur sasi të konsiderueshme gjaku, por njëkohësisht ka marrë edhe plagë të rënda në qafë nga prerja e thellë e thikës.

Policia ka mbërritur në vendngjarje, duke kryer ekspertizat ligjore, ndërsa ka evidentuar edhe dëshmitarët që kanë parë ngjarjen, të cilët aktualisht janë duke u marrë në pyetje. Policia nuk ka një pistë konkrete për rrethanat e ngjarjes, ndërsa vijon hetimi intensiv. Mjeku është ende në rrezik për jetën./tvklan.al

Gazetare: Ornela Hila