12-vjeçari vrau shokun dhe plagosi dy të tjerë me armë

Një vajzë shqiptare nga Kosova është një nga dy të plagosurit në shkollën Viertola në Finlandë ku nga të shtënat me armë të një fëmije 12-vjeçar gjeti vdekjen shoku i tyre i klasës.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Autori i krimit është arrestuar ndërsa policia finlandeze nuk ka dyshime për të tjerë që kanë bashkëpunuar me të.

Ai do të vendoset në kujdesin e shërbimeve sociale sepse një fëmijë nuk mund të mbahet në paraburgim, tha policia. Policia tha se motivi i krimit nuk është i qartë. Leja e pistoletës i përkiste një të afërmi të autorit.

Shkolla Viertola ka rreth 800 nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën dhe një staf prej 90 personash.

Në vitin 2007 një nxënës vrau gjashtë bashkëmoshatarë, drejtorin dhe infermieren e shkollës duke përdorur një pistoletë në shkollën e mesme Jokela, afër Helsinkit.

Një vit më vonë, në 2008, Matti Saari, një tjetër student, hapi zjarr në një shkollë profesionale në Kauhajoki në Finlandën veriperëndimore. Ai vrau nëntë studentë dhe një anëtar të personelit mashkull përpara se ta kthente armën kundër vetes.

Finlanda e forcoi legjislacionin e saj për armët në vitin 2010, duke prezantuar një test aftësie për të gjithë aplikantët për licencë për armë zjarri. Mosha minimale për aplikantët gjithashtu u rrit në 20 nga 18.

Vendi nordik me 5.6 milionë banorë ka lejuar më shumë se 1.5 milionë armë zjarri të licencuara aktualisht në duart e 430,000 shtetasve që i përdorin ato kryesisht për gjueti.

Klan News