Vetëm pak orë ka zgjatur arratia e Lulëzim Rakajt, personit që shihni në këtë foto i cili mëngjesin e kësaj të diele plagosi me armë zjarri dy persona në hyrje të një lokali në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe.

Pasi la të plagosur, Besmir Çofin dhe Avenir Hasanajn, autori u largua nga vendngjarja me armën e krimit.

U dësh ndërhyrja e forcave RENEA, të cilat në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës kapën autorin. Këto janë pamjet e vënies së tij në pranga.

Autori dhe dy të plagosurit mësohet se kanë patur një konflikt për motive të dobëta rreth 1 javë më parë, ndërsa këtë të dielë kishin lënë takim për të sqaruar një shuplakë që autori i kishte dhënë djalit të njërit prej të plagosurve.

Por edhe sot, mes tyre ka nisur një përplasje verbale e më pas situata ka dalë jashtë kontrollit kur Lulëzim Rakaj ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar Besmir Çofin dhe Avenir Hasanajn.

Këta të fundit aktualisht ndodhen në spitalin e Shkodrës ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Tv Klan