Këshilli i Ministrave miratoi planin e veprimit kombëtar për zbatimin e prioriteteve të partneritetit evropian. Zëdhënësi i kryeministrisë Aldrin Dalipi në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave e cilësoi këtë dokument një instrument të rëndësishëm për rritjen e nivelit të trasnparencës gjatë procesit të stabilizim-asocimit.

Aldrin Dalipi: “Planveprimi drejtpërsëdrejti do të shërbejë si një instrument veprimi dhe monitorimi për nivelet vendimmarrëse në Shqipëri, në kuvend, në qeverisjen vendore, në qeverisjet e niveleve të tjera. Do të ndikojë si kuadër monitorimi nga komisioni evropian për të matur progresin e Shqipërisë në procesin e stabilizim-asocimit, do të jetë gjithashtu instrument gjithëpërfshirës e monitorimi për shoqërinë civile e mediat komunitetit dhe biznesit, publikun e gjerë për stimulimin e debatit mbi politikat e progresin e Shqipërisë në rrugën e stabilizim-asocimit.”

Plani i veprimit për zbatimin e priroriteteve të partneritetit evropian është përdorur me mjaft sukses në strukturat e Bashkimit Evropian gjatë procesit të zgjerimit me 10 vendet që u bënë pjesë e këtyre strukturave në maj të këtij viti. Rolin kryesor për zbatimin e këtij plani do ta ketë Ministria e Integrimit dhe në vazhdimësi të gjitha ministritë dhe institucionet e përfshirë në plan. /tvklan.al