Plazhi i Talës është tepër i preferuar për familjarët pasi përshtatet më së miri me kërkesat e tyre. Një zgjedhje që shumë prej tyre e bëjnë vazhdimisht, për këtë vijë bregdetare të bukur të Lezhës.

“Fëmijët kënaqen këtu edhe unë si moshë e tretë jam e kënaqur,” tha një pushuese.

“Me të gjitha zonat që ka, zona jonë e Lezhës. Shëngjini e Talja aktualisht është më efikase për pushuesit. Është më e rregullt më e pastër,” tha një tjetër pushues vendas.

“Plazhi i Talës është një nga plazhet më të bukura, të pashfrytëzuar dhe është plazh shumë i mrekullueshëm. Ftojmë njerëzit dhe turistët të vijnë sa më shumë, ta frekuentojnë këtë vend sepse është një plazh shumë i mrekullueshëm,” shtoi një tjetër.

Kryetari i Njësisë Administrative të Shënkollit, Ernest Rakaj thotë se përparësi në plazhin e Talës po i jepet mirëmbajtjes së hapësirave publike dhe shtimit të sipërfaqeve të saj.

Ernest Rakaj, kreu i Njësisë Administrative Shënkoll, Lezhë: Plazhi i Talës realisht po frekuentohet në masë vit pas viti nga shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Realisht kemi një përmirësim të jashtëzakonshme të cilësisë, shërbimit, pastërtisë, por jemi munduar që të përmirësojmë edhe infrastrukturën e kësaj zone fantastike turistike. Shumë në masë janë realisht shqiptarët e Kosovës që e frekuentojnë dhe e pëlqejnë në mënyrë progresive këtë vijë bregdetare.  

Për të shmangur trafikun dhe për të shfrytëzuar hapësirat e shumta publike, pushues të shumtë nga Kosova, Tirana dhe verilindja e vendit zgjedhin çdo vit plazhin e Talës për pushimet e verës.  

Klan News