Institucionet buxhetore, partitë politike, biznese të ndryshme dhe konsumatorë familjarë i kanë borxh ALBtelecom-it 1.8 miliardë lek, afërsisht sa fitimi vjetor i parashikuar për këtë vit për këtë kompani.

Spartak Poçi: “Presim një listë të detajuar të debitorëve buxhetorë, ku përfshihen këtu edhe institucionet shtetërore, ku përfshihen këtu edhe partitë politike të cilat, i kanë borxhe të mëdha ALBtelecom-it dhe nuk i paguajnë ato prej vitesh.”

Ministri i Transporteve Spartak Poçi gjatë analizës së punës 6 mujore të kësaj kompanie kritikoi ashpër, sidomos mosvënien në punë të celularit shtetëror Eagle Mobile. Poçi nuk beson që celulari i tretë të fillojë nga puna brenda këtij viti.

Spartak Poçi: “Të tepërt e theksoj rëndësinë e vënies në punë të këtij operatori. Nga informacionet që na keni dërguar, kam përshtypjen që kyoperator do të jetë e vështirë të fillojë nga puna brenda vitit. Dua të di për vonesën cilat janë arsyet.”

ALBtelecom raporton se ka arritur një fitim bruto prej një miliardë lekësh për 6 mujorin e parë të këtij viti. /tvklan.al