Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia mendon se ka rënë në gjurmët e vrasësit të shoferit të prokurorit të përgjithshëm Genci Sina. Lajmi konfirmohet nga burime tepër të rezervuara policore. Burimet rikonfirmojnë se vrasja u krye me gjakftohtësi të plotë nga një person, i cili është parë të iki i qetë pas krimit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, drejt Kryesisë së Parlamentit.

Edhe pse për hetuesit janë dhënë deklarime nga disa dëshmitarë, që nga gruaja e prokurorit të përgjithshëm, e cila ka qenë në makinën ku u vra shoferi Sina, e deri tek taksisti që ka transportuar vrasësin, policia nuk ka shpërndarë identikitin e të dyshuarit si autorë. Emri  itij nuk bëhet i ditur për arsye të mbrojtjes së hetimit, por burimet shtojnë, se ai është person me precedent të mëparshëm penal.

Kjo çështje konsiderohet tepër delikate për organet që merren me hetimin e saj edhe arrestimi i tij shihet i vështirë, ndërkohë që dyshohet se personi që kreu këtë krim të rëndë, mund të jetë larguar nga Tirana./tvklan.al