Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ligji i miratuar pak javë më parë në parlament, për shërbimin ushtarak, po diskutohet për t’u kthyer nga presidenti Alfred Moisiu. Para pak ditësh numri një i shtetit, që kryen edhe funksionin e shefit të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Shqipërisë, ka bërë një mbledhje me stafin e tij të ngushtë ku është diskutuar ky ligj.

Burime të mirinformuara, bëjnë të ditur se mendimi i përgjithshëm në presidencë është për t’ia rikthyer për rishqyrtim parlamentit për shkak të ankesave të shumta, që i janë adresuar presidentit për këtë iniciativë të qeverisë, e paraqitur në parlament, nga Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko.

Ligji i miratuar në fakt, privilegjon një shtresë të shoqërisë, ata që vazhdojnë shkollën e lartë nga moskryerja e shërbimit ushtarak, deri në vitin 2010 dhe këtu është interpretuar edhe në parlament nga disa deputetë, por edhe nga ushtarakët dhe ndihmësit e presidentit në kundërshtim me Kushtetutën, ku shprehet qartë se shtetasit janë të barabartë para ligjit.

Megjithatë, vendimi për të kthyer këtë ligj nuk është marrë ende nga presidenti, i cili është në pritje të një çështje tjetër të rëndësishme dhe që ka bërë bujë politike, çështjen e quajtur Bishti i Pallës. Megjithatë mësohet se për këtë lëvizje presidenca ka kontaktuar dhe ka paralajmëruar disa deputetë të komisionit të ligjeve.

Pas vetos që vuri për marrëveshjen, që i jepte Greqisë për 5-7 vjet bazën detare të Bishtit të Pallës, ky është ligji i dytë që presidenti Moisiu i kthen qeverisë dhe parlamentit dhe që lidhen drejtpërsëdrejti me Ministrinë e Mbrojtjes. Këto dy iniciativa janë edhe të vetmet që presidenti Alfred Moisiu, ka rikthyer për rishqyrtim, që kur bëri betimin para parlamentit më 24 Korrik të vitit 2002./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço