Bashkia e Tiranës prezantoi projektin për rehabilitimin e lumit të Lanës, nga zona e Pallatit me Shigjeta deri te kryqëzimi me Rr. “Teodor Keko” në Astir, e cila transformon këtë pjesë të qytetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se projekti është vijim i punëve të mira të nisura që në vitet 2000-2011.

Transformimi i lumit të Lanës nga administrata e Edi Ramës dhe Bashkisë së Tiranës në vitet 2000-2011 i referohet një epoke që lidhet me hapjen e një kapitulli të ri të qytetit. I cili vijoi me transformimin e Lanës në pjesën e lindore, nga materniteti i ri “Koço Gliozheni” deri te rrethrrotullimi i Shkozës. Kush ka parë transformimin aty, mjafton të hapë buletinet e imobiliareve për të kuptuar se vlera e pronës është rritur nga 70 deri në 250%.”

Veliaj shtoi se nga ky investim përfitojnë të gjithë qytetarët, sikurse edhe 317 familjet që preken nga projekti do të përfitojnë fillimisht bonus qiraje dhe më pas nga një banesë të re falas.

“Jo vetëm këto familje do të jetojnë më mirë, por edhe familjet e tjera të qytetit do të kenë një mundësi të jashtëzakonshme. Për ata që janë pronarë legjitimë të pronave private buzë Lanës është një lajm i shkëlqyer sepse do të kenë mundësi ta zhvillojnë pronën e tyre. Ndaj, dua t’ju bëj thirrje qytetarëve: Mos u përdorni mish për top! Kush bashkëpunon i pari, do futet në shtëpi i pari. Kush shkon t’i vërë biberonin llasticave që humbasin me 60 mijë vota dhe nuk dinë ta kapërcejnë humbjen, atëherë sigurisht do futen të fundit.”

Për të informuar qytetarët për zbatimin e projektit dhe për të mësuar se çfarë përfitojnë familjet apo si do të trajtohen shpronësimet, të gjithë mund të shkruajnë në adresën që ka hapur Bashkia online.

Klan News