Policia Ndërtimore e Fierit ka nisur një aksion për prishjen e 13 objekteve, të cilat ndodhen në tregun e fruta perimeve si dhe atyre të rrobave të përdorura. Sipas drejtorit të Policisë Ndërtimore Sabaudin Alliaj, prishja e këtyre objekteve nuk është, as fillimi i këtij viti, as fundi, por vazhdimi i kthimit në normalitet të hapësirave publike. Pikërisht këto ndërtime, që ndodhen në këtë zonë, nuk kanë leje dhe janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe ekzekutimi i urdhrit të Policisë Ndërtimore mori formën e prerë.

“Bashkia e qyteti të Fierit ka miratuar një projekt mjaft të madh për ngritjen e një qendre tregtare moderne. Janë njoftuar që të gjithë tregtarët dhe, siç e shihni edhe vetë, një pjesë e mirë e tyre ka filluar çmontimin e objekteve.”

Pronarët e ndërtesave e kanë pranuar prishjen e lokaleve të tyre dhe, sapo kanë marrë letrat paralajmëruese, kanë hequr prej andej mallrat e magazinuara. Me prishjen e këtyre objekteve do të mundësohet zgjerimi i kësaj rruge. /tvklan.al