60 të rinjtë e përzgjedhur pas fazës së parë u mblodhën sot në ambientet e TV Klan në trajnimin e organizuar nga drejtuesit e programit.

Surpriza e fitores duket qartë në fytyrat e të rinjve të grupmoshave të ndryshme. Drejtori i editorialit, Mentor Nazarko, dhe pedagogët Ermal Hasimja e Blendi Çeka shpjeguan konceptet e të folurit në publik, si mbahet një fjalim, cila është gjuha e trupit që duhet përdorur dhe gjestikulacionet e duhura për të patur premisat e një lideri të ardhshëm.

Ndërsa regjisori Ardit Roshi shpjegoi disa koncepte në lidhje me mënyrën e të sjellurit para kamerave dhe afërsinë me publikun.

“Formati “Lider” është një mënyrë më e mirë që i jep një oportunitet çdo të riu le të themi në një moshë relativisht të re për të dhënë atë më të mirën e tij edhe për të qenë më afër një realiteti shqiptar, një realiteti politik shqiptar”.

Jona dhe Griselda janë dy konkurrentet më të reja në këtë program. Ata janë njohëse shumë të mira të disa gjuhëve të huaja, flasin bukur dhe janë të apasionuara pas letërsisë e filozofisë.

Po çfarë presin këto përfaqësuese të gjeneratës së re nga ky format televiziv?

“Unë pres që të ofrojë botëkuptimin e brezit të grupmoshës më saktë që unë përfaqësoj, origjinalitetin, ndoshta njohuritë jo shumë të plota, por le të themi dëshirën e mirë për të kontribuar në zhvillimin e atdheut.”

“Është një sfidë dhe gjithmonë sfidat janë të bukura dhe sfidat nxjerrin atë çka është më e mirë tek individi. Në një farë mënyre është kënaqësi të shikosh që përballë teje janë konkurrentë kaq dinjitozë të përzgjedhur me kaq rigorozitet nga stafi dhe kam përshtypjen se është diçka realisht vlerësuese për vetë individin që merr pjesë në një farë mënyre sepse duke sfiduar dikë, duke pasur një konkurrent përballë atëherë jep vlerat e tua dhe merr, pra ka një lloj difuzioni kulturor vlerash”.

“Lider” ka përfshirë rreth tij jo vetëm të rinj nga Shqipëria, por edhe nga Kosova e Maqedonia. Përfaqësuesit nga këto troje shprehen:

“Duke qenë prezent këtu mundohem që të ofroj një si të thuash një ndryshim, një si të thuash një revolucion në mendimin dhe mentalitetin tonë shqiptar, sidomos në Maqedoni, atje nga vijmë”.

“Do të ofroj një pikëpamje tjetër në subjekte të ndryshme, të cilat diskutohen në shtëpi dhe shpresoj që disa ide që i kam pas i ri dhe që i kam tash, shpresoj që do të mund t’i shprehi dhe do të mund që të ndërlidhen me politikat e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe do t’i ndihmoj, dmth, shtetit tim më së pari, por dhe Shqipërisë së madhe”.

E shtuna në mbrëmje do të sjellë para publikut tetë kandidatët e parë e bashkë me ta do të vijnë edhe emocionet e garës, elementet e spektaklit dhe surprizat.

Në kërkim të “Liderit” do t’ju shoqërojë gjatë javëve të muajit Shkurt për të shfaqur para publikut në muajin Mars 16 finalistët e këtij realit show./tvklan.al

Gazetar: Brunilda Cami