Ndjenja e ankthit në mes të pandemisë mund të shkaktojë edhe sulme paniku tek persona të caktuar.

Shqetësimi se mos prekeni nga virusi bën që trupi juaj krijon ato që perceptohen si simptoma të virusit, të cilat më pas i merrni si dëshmi se në të vërtetë ju jeni prekur prej tij. Kjo gjë çon në më shumë ankth dhe përkeqësim të simptomave.

Doktoreshë Martina Paglia nga Klinika Ndërkombëtare e Psikologjisë, u shpreh se ka shumë mundësi që shumë njerëz po zhvillojnë simptoma të ngjashme me virusin, thjesht për shkak të ankthit.

Ata janë aq të shqetësuar në lidhje me pasigurinë që lidhet me virusin, saqë është thjesht çështje kohe që ata të bindin veten e tyre për shfaqjen e simptomave.

Mendja nuk është në gjendje të bëjë dallimin midis rrezikut të vërtetë dhe të perceptuar dhe kur ndjehemi të kërcënuar dhe të prekshëm, adrenalina rritet nëpër trup, duke shkaktuar ankth në rritje dhe shpesh duke shkaktuar dhimbje në gjoks dhe gulçim. Sipas Paglia, nëse keni një histori ankthi dhe sulme paniku, kujtojini vetes që ka më shumë të ngjarë që simptomat tuaja të jenë psikosomatike, sesa vërtet jeni infektuar nga virusi.

Kur ndiheni të mbingarkuar dhe simptomat fizike shfaqen, përpiquni të qetësoheni. Nëse simptomat tuaja lehtësohen pasi të jeni më të qetë, mund të siguroheni që ato ishin për shkak të panikut, jo të infektimit nga virusi./tvklan.al