Zhvillimi i turizmit në pjesën ende të pa prekur nga ndërtimet kaotike në plazhin e Golemit, ka mbetur peng i infrastrukturës së dobët rrugore.

Gazetari: “Ndodhemi këtu në segmentin Mali i Robit-Qerret. Kjo është vetëm një prej rrugëve problematike në zonën turistike të Golemit, projekti për të cilën ka 2 vjet që fle në zyrat e komunës”.

Pluhuri dhe gropat të shoqërojnë rreth 2 km e kësaj rruge, që është bërë një gangrenë jo vetëm për banorët e zonës por edhe për pushuesit të cilët sapo kanë filluar të frekuentojnë këtë plazh.

“Me thonë të drejtën unë makinën teme ta kem, nuk hyj këtej kupto është shumë e keqe. Ja shife të gjithë këto vila kaq të bukura mos me e rregullu një rrugë ”.

“Gjendja e rrugës duket vetë kjo, s’ka nevojë me ta shpjegu unë”.

“Është gjithë pluhur e gjithë pisllëqe. Po ku të presim, ne prej shtetit presim”.

Pranë zyrës së urbanistikës në komunën e Golemit mësojmë se ky segment rrugorë është pjesë e masterplanit të rregullimit të zonës turistike. Por ky masterplan ende nuk ka marrë firmën e fundit nga komuna e cila do t’i hapte më pas rrugën e kalimit për miratim në KRRTRSH dhe më pas ndërtimit të saj, që sipas specialistëve nuk do të donte më shumë se 3 muaj.

“Projekti parashikon ndërtimin e rrugës nga Mak Albania deri tek derdhja e përroit të Qerretit. Rruga është 1700 metro e gjatë me gjerësi 7 metro dhe ka në të 2 anët trotuare nga 1.5 m. Mastërplani është hartuar por nuk ka marrë vulën dhe firmën përfundimtare. Mastërplani ka ardhur pran nesh, po i bëjmë vërejtjet për t’u rishikuar dhe mbas kësaj do të fillojmë dhe procedura për aprovimin e tij”.

Rruga një preventiv prej 44 milion lekësh dhe për këtë pritet një fond nga Ministria e Financave, por më parë duhet të thotë fjalën e vetë edhe Ministria e Punëve Publike.

Gazetari: “Për të gjetur se ku ka ngecur filli i punimeve i këtij segmenti që kalon në zonën turistike të Golemit, jemi drejtuar disa herë dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Por këtu bëjnë të paditurin duke thënë se nuk kanë informacion mbi projektin e kësaj rruge”.

“Projekti ka shkuar pranë Ministrisë së Punëve Publike që në kohën e hartimit të projektplanit të vitit 2008, që në muajin shtator-tetor të 2007-së, që është punuar për vitin 2008. Po njëkohësisht ka shkuar prapë tashi me kërkesë të tyre, ka shkuar prapë tashi projekti dhe preventivi”.

Burokracia vazhdon të mbaj peng ndërtimin e këtij segmenti rrugorë turistik. Në një kohë kur qeveria ka premtuar si prioritet të saj ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturën në zonën turistike./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro