Dhuna në familje është një fenomen mjaft i përhapur në shoqërinë shqiptare dhe viktimat e saj në pjesën më të madhe të rasteve janë gratë dhe fëmijët. Por më e keqja është se kjo vepër penale, e cila shkakton me mijëra viktima, nuk ndëshkohet nga gjyqësori shqiptar.

Me iniciativën e Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe me mbështetjen e dhjetëra rrjeteve dhe organizatave joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave dhe të grave dhe fëmijëve është krijuar aleanca për promovimin e ligjit kundër dhunës në familje. Kjo aleancë ka marrë përsipër që bashkë me komisionet parlamentare të hartojë një projektligj të posaçëm, ashtu siç ekziston në të gjitha vendet e zhvilluara të botës për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës në familje.

Kreshnik Spahiu: “Druri brenda familjes nuk konsiderohet vepër penale dhe për këtë arsye ne nuk jemi mbledhur vetëm për të bërë një përmirësim apo një grumbullim të akteve të ndryshme të dispozitave ligjore, të kuadrit ligjor aktual, por për të përgatitur vërtet një kuadër ligjor bashkëkohor, por edhe një kuadër ligjor të vërtetë shqiptar që t’i përputhet realitetit shqiptar.”

Iniciativa për hartimin ligjit do të përfshijë në mënyrë direkt qytetarët në disa rrethe të vendit dhe do të shoqërohet me një fushatë për nënshkrimin nga rreth 2000 qytetarë të Kartës Kundër Dhunës në Familje. /tvklan.al