Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Për të disatën ditë, banorët e Laprakës kanë dalë të protestojnë në rrugën kryesore pranë drejtorisë së doganave. Çështja e legalizimit është problemi shqetësues për 60 mijë të ardhurit në këtë zonë. Përveç ngritjes së ndërtesës pa leje në tokë shtetërore, ata nuk mund të bëjnë asnjë investim tjetër, pa e pasur të tyren shtëpinë.

Banorja e Laprakës:- Na kanë premtuar kur morën votat, do t’ua legalizojmë shtëpitë dhe i gëzofshi, si përfundim, as na i kanë legalizuar, as nuk na kanë thënë absolutisht asnjë gjë. Po ne po mundohemi aq shumë, sa s’ka më. Ne nuk duam asnjë gjë, ne nuk duam as për politikë, as për gjë, ne duam vetëm shtëpitë tona, t’i gëzojmë se i kemi bërë me mund dhe me djersë. Ne po vuajmë për copën e bukës, vetëm shtëpitë mos na i prishin”.

Këtë herë ata nuk do të gënjehen, por do t’i qëndrojnë deri në fund kërkesës për legalizime edhe pas fushatës. Nëse shteti vërtetë do të hartojë një platformë për legalizimin e shtëpive të tyre, ata do t’i largohen kësaj forme proteste”.

Protestuesi:- “Legalizimet nuk bëhen me terma, me fjalë, legalizimet bëhen veç me ligj, në qoftë se dy forcat politike të mëdha bihen në kompromis që të bëjnë ligjin, të miratojnë edhe akte nënligjore, ne jemi dakord pastaj, s’kemi pse dalim në rrugë. Ne do i besojmë kur të shkruhet e zeza mbi të bardhë”./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti