Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Aleksandër Frangaj:- “Jepni dorëheqjen, sepse keni turpëruar mediat, keni turpëruar Shqipërinë, keni turpëruar shtetin shqiptar. Ju nuk jeni ministër, ju jeni një rrugaç, ju duhet të largoheni sot …”

Mustafa Nano:- “Zoti ministër, ju keni shansin të shndërroheni në një qytetar normal të Shqipërisë, ju nuk e meritoni të qëndroni në atë zyrë. Ky është zëri i atyre që ju nxjerrin portretin çdo ditë në televizion dhe gazeta, por ky është zëri që duhet ta dëgjoni. Largohuni, dorëzoni çelësat”.

Para Ministrisë së Rendit në protestë, ndaj kreut të saj Luan Rama janë bashkuar edhe drejtuesit e mediave dhe shtypit. Tubimi paqësor ka vazhduar rreth gjysmë ore, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë reagim nga kreu i saj.

Indinjatës për incidentin e disa netëve më parë në Rozafa Palace, ku gazetari Babaramo pretendon se është dhunuar nga ministri, i është bashkuar dhe ajo për ngjarjen e sotme, sërish me protagonist kryeredaktorin e Vizion +. Prania e punonjësve të policisë pranë Vizion +, ka revoltuar përfaqësuesit e medias./tvklan.al