Serbët i thanë jo shtrirjes së misionit evropian për rend dhe ligj, EULEX, përmes protestave që filluan sot në të njëjtën orë në të gjitha vendbanimet e dominuara nga ky komunitet në Kosovë.

Protesta u zhvillua në Mitrovicën e Veriut, Graçanicë, Shterpcë dhe Ranilug. Kjo protestë u organizuar nga kuvendi i komunave serbe të Kosovës, institucion ky paralel që udhëhiqet nga fanatikë të partisë radikale të Vojisllav Sheshelit.

Në fshatin Graçanicë disa kilometra në lindje të Prishtinës udhëheqësit e protestave me një fjalor plot mllef dhe urrejtje iu kanë bërë thirrje serbëve që ta bojkotojnë EULEX-in.

“Vendimi fillimisht na lëshoi bomba, ndërkaq tash po na lëshon EULEX-in, po ne ju themi stop bombave, stop EULEX-it. Rroftë Serbia!”

“Me muaj jemi nën presionin e EULEX-it, një mision ky që dëshiron të na mësojë neve se me kë dhe si të jetojmë. Në tokën tonë askush nuk mund të diktojë mënyrën tonë të jetesës, prandaj serbët i tjonë jo EULEX-it”.

Komuniteti serb në Kosovë beson se pranimi i EULEX-it do të thotë pranim edhe i pavarësisë së Kosovës.

“Perëndimi dëshiron ta bëjë Kosovën si Zvicrën, ku jetojnë së bashku të gjitha komunitetet, por nën udhëheqjen e shqiptarëve e si është e mundur kjo? Kur ka qenë këtu Shqipëri?”

“Kurrë. EULEX-i është kundër serbëve, prandaj duhet të largohet nga Kosova. Kosova është Serbi”.

Në protestën e sotshme serbët kanë protestuar dhe kundër pavarësisë së Kosovës duke hedhur akuza dhe fyerje dhe në adresë të shteteve perëndimore që pranuan realitetin e krijuar në Kosovë më 17 Shkurt./tvklan.al