Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar të martën me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniçi, në lidhje me përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare, njoftoi Presidenca.

“Kryesuesi i KQZ-së, e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me çështjet që sipas KQZ-së është me rëndësi të merren parasysh gjatë vlerësimeve rreth caktimit të datës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim u diskutua gjithashtu edhe për votimin nga mërgata dhe hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që “kjo e drejtë të realizohet siç është përcaktuar në ligjin e ri”, sipas njoftimit.

“Presidentja potencoi rëndësinë që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë edhe për personat me nevoja të veçanta”,
tha Presidenca.

Osmani i filloi në fund të muajit të kaluar konsultimet me partitë politike në vend për të arritur një marrëveshje për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 Janar, 2, 9 ose 16 Shkurt.

Pas atij takimi më 31 Korrik, në të cilin nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e as ata të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, Osmani kishte thënë se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje./REL