Hapja e urës së Ibrit mund të rrezikojë sigurinë e ushtarëve të NATO-s.  Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kritikoi ashpër qeverinë e Kosovës për vendimin e marrë, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë.

Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA në Kosovë: Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën.

Ambasadori Hovenier shpreson që qeveria të marrë parasysh shqetësimet amerikane, ndërsa shprehet kritik me kryeministrin Kurti.

Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA në Kosovë: Më duhet të them se jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij, dhe më duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte për disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si merret me çështjen e veriut dhe me atë të dialogut. Këtë nuk e them vetëm unë. Para pak kohësh, këtu ishte një nënsekretare jona e Shtetit, e cila foli për nevojën dhe shpresën tonë për bashkërenditje dhe bashkëpunim më të mirë. Jim O’Brien, ndihmës-sekretari ynë për Evropën, ka folur publikisht për këtë.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullimin e automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.

Klan News