Ulqini ka pritur këtë sezon veror më pak pushues kosovarë se vitin e shkuar.

Një pjesë e madhe e tyre janë drejtuar plazheve të Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër shprehet se shërbimi në bregdetin malazez ka lënë për të dëshiruar.

Gëzim Hajdinaga: “Në përgjithësi ndoshta ka një rënie përsa i përket turizmit që vjen nga Kosova. Normalisht që çdo konkurrencë për mua është e mirë, por në vete mban edhe të keqen edhe unë jam i gëzuar dhe më vjen mirë që edhe një numër i turistëve tash këtë vit më tepër është në Shqipëri në shtetin amë”.

Turistët që zgjodhën bregdetin e Ulqinit kanë paguar këtë vit një shumë prej dhjetë eurosh si taksë ekologjike, ndërkohë që nuk janë lejuar të marrin ushqimin me vete në plazhe, çka sipas autoriteteve lokale shihet si një arsye e largimit të turistëve kosovarë drejt Shqipërisë.

“Ndoshta jo, ndoshta shkojmë vitin tjetër në Durrës mbasi janë çmimet atje më të ulëta pak si këtu e pak më mirë dhe atje”.

Kësaj vere në Ulqin kanë pushuar rreth 80 mijë turistë kosovarë ose rreth 30% më pak se vitin e shkuar, ndërkaq në bregdetin e Velipojës gjatë këtij sezoni krahasuar me vitin e kaluar mendohet të kenë pushuar rreth 40% më shumë turistë nga Kosova dhe Maqedonia./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle