Vitin e ardhshëm akademik do të ngrihet Universiteti i Mjekësisë. Në kuadër të nismës që qeveria shqiptare na ndërmarrë për të reformuar sistemin shëndetësor në vend është marrë Vendimi i Këshillit të Ministrave për shkrirjen e dy fakulteteve. Atij të mjekësisë dhe infermierisë dhe kalimi në sistem universitar.

Sali Berisha: “Universiteti i Mjekësisë do të harmonizojë udhëheqjen diagnostike kurative shkencore me menaxhimin e institucioneve qendrore, spitalore, do t’u përgjigjet larmisë së madhe të kërkesave në shërbime. Ministria e Arsimit dhe ministria e Shëndetësisë duhet të nisin punën për të shqyrtuar të gjitha modalitetet. E rëndësishme është që ky vitin e ardhshëm akademik të nisë punën.”

Këshilltari i kryeministrit për arsimin zoti Myqerem Tafaj shpjegon se për këtë iniciativë, janë marrë në konsideratë modele të universiteteve të mjekësisë, që kanë rezultuar të suksesshme në vende si Austria apo Gjermania.

Myqerem Tafaj: “Ngritja e universitetit nuk është  thjesht një proces mekanik i bashkimit të dy fakulteteve, është shumë më tepër se sa kaq. Ky universitet në objektivin e kësaj qeverie nënkupton një qendër të ekselencës në formimin universitar, pas universitar dhe kërkimet shkencore në fushën e mjekësisë. Një ndër shkaqet kryesore është që ky universitet pas një periudhe të caktuar tranzitore ngritjes së tij do të përgatitet për të marrë krejtësisht nën administrimin e tij klinikat universitare. Do të thotë që klinikat jo vetëm do të shërbejnë për formimin e studentëve, por më shumë sesa kaq universiteti në një të ardhme do të ketë një pushtet të plotë në administrimin dhe drejtimin e klinikave universitare.”

Qeveria  ka parashikuar që shpenzimet për ngritjen dhe mbajtjen e këtij universiteti të kenë një zë më vetë në buxhetin e shtetit, ndërsa investimet në të sipas Tafajt do të jenë të konsiderueshme./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka