Qeveria ka gati fondin për të mbuluar interesat e kredisë për strehimin e 800 familjeve. Me t’u përpiluar lista e përfituesve nga ana e bashkive qytetarëve nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të gjejnë në treg apartamentin dhe të aplikojnë pranë bankës së përzgjedhur për të tërhequr kredinë. 

Doris Andoni, drejtore e politikave të strehimit, thotë se ky është vetëm fillimi i një skeme për blerjen e 6 mijë apartamente për të pastrehët.

Doris Andoni: “Pritet vetëm fillimi, domethënë miratimi i këtyre listave nga këshillat bashkiak ku do të zbatohet ky projekt. Për të mbuluar interesat e kredisë buxheti për këtë vit është 126 milion lekë, bashkia e Tiranë ka rreth 250 familje, bashkia e Durrësit rreth 150, Shkodra 150, Kavaja 50, Vlora 75, Korça 75, Gjirokastra 50 familje. Plus këtyre familjeve do të jenë edhe 6 mijë familje të tjera.”

Përfituesit do të paguajnë vetëm 3 %  për kredinë e marrë, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nga shteti. Kjo skemë pritet t’i japë një impuls edhe tregut të banesave në vend, në një situatë kur ndërtuesit deklarojnë se kanë me mijëra apartamente të pa shitura.

Doris Andoni: “Me një të shtënë vret dy zogj do me thënë nga njëra anë mbështet familje që kanë nevojë për strehim, nga ana tjetër do të ndikojë në qarkullimin e banesave në treg. Këto banesa pra mund të jenë kontingjent për t’u blerë nga këto familje, por sigurisht që familja do të synojë që të gjejë një banesë me një çmim sa më të ulët sepse në kemi vendosur edhe kufij për nivelin maksimal të çmimit që mund të blihet banesa.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro