Një nga projektet që do t’i hapte udhë lëvizjes në kryeqytet duke lehtësuar shumë trafikun është ajo e Unazës së Madhe. Segmenti i dytë nga kryqëzimi i rrugës së Kavajës në Sauk, pritet të përfundojë brenda 2 vjetësh.

Shpronësimet për ndërtimin e kësaj rruge do të prekin 180 banesa, pjesërisht dhe plotësisht dhe një sipërfaqe prej 35 Ha tokë. Por nga do të kalojë ky segment 5.5 km i gjatë. Projekti nuk është bërë ende publik, por vetëm pikat lidhëse të tij.

Nga kryqëzimi i rrugës së “Kavajës” pranë shkollës Teknologjike, unaza do të kalojë në zonën e Selitës. për të vazhduar më pas pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat pas parkut të madh të Tiranës, në ato të Saukut, për t’u lidhur më pas me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.

Në gjatësinë e tij është menduar edhe ndërtimi i disa veprave arti. Si pjesë më e rëndësishme e tyre konsiderohet mbikalimi në kryqëzimin me rrugën Komuna e Parisit, për t’i dhënë frymëmarrje lëvizjes në këtë zonë mjaft të populluar.

Ndërhyrje do të ketë edhe për gjelbërimin dhe ndriçimin total të këtij aksi. Unaza e Madhe e Tiranës është përcaktuar si një nga arteriet kryesore të sistemit rrugor të kryeqytetit, në planin aktual rregullues në fuqi i vitit 1989./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami